Serbia kërcënon me rezistencë të armatosur

0

SHBA-të kanë bërë sërish thirrje për një marrëveshje Kosovë-Serbi, dhe për të evituar tensionet.

Nga Qeveria e Kosovës ëshët bërë e ditur se nesër do të mbahet takimin mes kryeministrit ALbin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuqiq.

I dërguari amerikan Gabriel Escobar në një intervistë të fundit për transmetuesin publik, sërish bëri thirrje për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi, për shmangur tensionimin e situatës.

Escobar u bëri thirrje dy shteteve që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje para 21 nëntorit.

“Palët duhet të dyfishojnë detyrimet e tyre ndaj dialogut, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit”, theksoi ai.

Edhe Derek Chollet, Këshilltar në Departamentin e Shtetit në SHBA, me një postim në Twitter, ka kërkuar shtyrjen e afatit për targa.

Por, Serbia nuk është e fokusuar tek targat, të cilat po i përdor si pretekst, siç thotë edhe shefi i EULEX-it në Kosovë Lars-Gunnar wigemark në një intervistë, përkundrazi qëllimet e saj janë të tjera ndaj Kosovës.

Tensionet që po i krijon Serbia në veri të Mitrovicës, po alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare. EULEX-i e ka rritur pak praninë e vet me trupa policore, për të mbuluar disa nga detyrat që mbetën jashtë funksionit pasi Serbia i urdhëroi policët serbë dhe pjesëmarrësit tjerë në sistemin shtetëror të Kosovës, t’i braktisin ato.

Ndërkohë, ajo ka vazhduar të shpërndajë armë dhe të dërgojë njerëz për të udhëhequr me situatën e krijuar, deri në shkaktimin e trazirave potencialisht apo edhe të provokojnë gjakderdhje.

Tensionet në veri u rritën prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Kurse, nesër më 21 nëntor hyn në fuqi vendimi i masës për gjobitje për targa nga ana e Kosovës.

Në veri janë shfaqur edhe grafite duke bërë thirrje për rezistencë të armatosur, edhe pse tekstualisht nuk thuhet, ndërsa autorësinë e ka marrë “Brigada veri”, që nënkupton organizim ushtarak.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, thuhet në grafitet që janë shfaqur në Mitrovicë të Veriut.

Por, a pritet të ketë shtyrje të zbatimit të vendimit për targat?

Mehmeti: Të kuptohet se Kosova është shtet dhe vendimet e qeverisë vlejnë kudo

Image

Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se të dielën me shumë mundësi do të arrihet marrëveshja rreth targave, përndryshe do të ketë konflikt në veri, derisa edhe SHBA-ja vazhdimisht kanë bërë thirrje për mos eskalim të situatës.

“Të gjitha mundësit janë në tavolinë, besoj se të dielën mund të ketë ujdi mes palëve për targat duke shmangur kështu përplasje politike dhe tensionet rreth situatës në veri. SHBA-të janë të interesuar për të mos pasur tensione. Zgjidhja mund të arrihet të dielën, në të kundërtën situata mund të arrijë deri në konflikt”, thotë ai.

Sipas tij, të gjithë duhet të kuptojnë se Kosova është shtet edhe vendimet e saj vlejnë kudo.

“Qeveria është në të drejtën e saj, edhe vendimet e saj janë të ligjshme, çfarëdo marrëveshje e arritur duhet të ketë për bazë respektim të vendimeve të Qeverisë nga serbët në veri. Të kuptohet se Kosova është shtet dhe vendimet e qeverisë vlejnë kudo”, deklaroi ai.

Duhanaj: Vendimi për targa tashmë do të zbatohet

Image

Leon Duhanaj

Kurse, analisti Leon Duhanaj, çështjen e targave e sheh si lojë politike, që sipas tij, po bëhet për konsum të brendshëm politik.

“Për mendimin tim e gjithë kjo krizë rreth targave nuk është gjë tjetër pos lojës politike, e cila bëhet për interesa të konsumit të brendshëm politik.

Nga njëra anë kemi qasjen e Qeverisë së Kosovës, e cila nuk është kooperuese në raport me ndërkombëtarët, e që për fat të keq veç sa e dëmton Kosovën në proces.

Nga ana tjetër kemi qasjen destruktive të vazhdueshme të Serbisë, por që për fat të keq po dinë dhe duan të pozicionohen si ma konstruktiv në raport me dialogun.

E tërë kjo ndodhë si pasojë e arrogancës dhe paaftësisë së Qeverisë së Kosovës me zhvilluar politik të mençur dhe konstruktive qoftë në politikën e brendshme, qoftë në atë të jashtme”, nënvizon Duhanaj.

Sa i përket takimeve, Duhanaj thotë se ato janë bërë të detyrueshme, por që duhet ditur se si të shfrytëzohen ato.

“Takimet tashmë do të jenë gati sa të detyrueshme për liderët, por se kush sa do të nxjerrë nga to, do të varet nga aftësia e tyre komunikuese me akterët vendimmarrës.

Jam i bindur që vendimi për targa tashmë do të zbatohet. Ajo çfarë do të ndodhë, do të jetë ndonjë manovër politike të cilën Kryeministri ynë do ta shes si ndonjë fitore, por që për mendimin tim është fitore e Pirros, sepse me ketë qasje veç se po e dëmtojnë interesin e Kosovës, përkatësisht të shqiptarëve.

Gjendja në statusquo më së shumti e dëmton Kosovën dhe subjektivitetin e saj, prandaj është me rëndësi jetike që të tregohemi të mençur në këtë segment, të luajmë rol konstruktin duke qenë serioz dhe konsistent në mbrojtje të interesave të Kosovës, por asnjëherë duke investuar në simbolika e konflikte, sepse në këtë mënyrë do të dëmtojmë interesat tona”, përfundon ai.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu