Dasmë në Shtëpinë e Bardhë, martohet mbesa e Presidentit Joe Biden

0

Shtëpia e Bardhë është në festë. Mbesa e presidentit amerikan u martua në një ceremoni private, ndërsa këtë të dielë Joe Biden shënon 80-vjetorin e lindjes. Biden është një politikan veteran dhe presidenti më i vjetër në historinë e SHBA-ve.

Dasmë në Shtëpinë e Bardhë, martohet mbesa e Biden

Kjo fundjavë ka shënuar dy ngjarje të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë. Të shtunën mbesa e madhe e presidentit amerikan u martua në një ceremoni private, ndërsa këtë të dielë Joe Biden feston 80-vjetorin e lindjes. Dasma ngjalli polemika për shkak të përjashtimit total të shtypit, madje edhe nga pritja e mbrëmjes.

Ceremonia u zhvillua në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, e cila ishte stolisur me kurora me lule të bardha. Privatësia ishte kërkesë e bashkëshortëve, Naomi dhe Peter, shpjegoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean Pierre. Një zgjedhje në kontrast total me dasmën luksoze të Tiffany Trump, vajzës së manjatit Donald Trump, një javë më parë në Mar-a-Lago.

“Çifti kanë kërkuar që dasma e tyre të jetë jashtë vëmendjes së mediave dhe ne po respektojmë dëshirat e tyre” shtoi ajo.

Të sapomartuarit, 28-vjeçarja Naomi dhe Peter Neal, 3 vjet më të ri, të dy avokatë punojnë në një firmë të madhe ligjore dhe në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown për sigurinë kombëtare. Të dy kanë jetuar në Shtëpinë e Bardhë që nga muaji gusht. Deri më tani ka pasur vetëm 18 dasma në Shtëpinë e Bardhë, duke përfshirë pesë në 100 vitet e fundit.

Për momentin është e paqartë nëse gazetarët do të jenë të pranishëm në Shtëpinë e Bardhë kur Biden të shuajë 80 qirinjtë, mes familjes dhe miqve. I lindur më 20 nëntor 1942 në Scranton, një qytet i klasës punëtore në Pensilvani, Joe Biden është një politikan veteran dhe presidenti më i vjetër në historinë e SHBA.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu