Kreu Editorial SRBIJA Act’: Kthesa e Uashingtonit ndaj Ballkanit dhe llogaridhënia e munguar e...

SRBIJA Act’: Kthesa e Uashingtonit ndaj Ballkanit dhe llogaridhënia e munguar e Beogradit!

0
26

Shkruan Azgan Haklaj

​Një analizë mbi nismën e Kongresit Amerikan dhe sfidat e pazgjidhura të faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor!
​Prezantimi i projektligjit ‘SRBIJA Act’ në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nga kongresmenët Joe Wilson dhe Bill Keating shënon një hap të domosdoshëm, në fakt të vonuar në mbrojtje të demokracisë, sundimit të ligjit dhe paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.
Për shumë kohë, politika rajonale është udhëhequr nga një diplomaci e ekuilibrave të brishtë dhe tolerancës ndaj qasjeve ambigue, duke i lënë hapësirë forcimit të autokracive dhe shkeljes së të drejtave elementare.
Ky projektligj kthen busullën aty ku duhet:
Llogaridhënia e qartë.
​Përmbajtja e këtij akti legjislativ adreson drejtpërdrejt ata që kërcënojnë proceset demokratike, nxisin korrupsionin dhe rrezikojnë stabilitetin e rajonit.
Por, ajo që i jep një peshë të veçantë kësaj nisme është mesazhi i qartë gjeopolitik se Shtetet e Bashkuara nuk do të vazhdojnë të injorojnë rreshtimin strategjik dhe ekonomik të Serbisë me Rusinë, Kinën, Iranin dhe aktorë të tjerë autoritarë që sfidojnë vlerat perëndimore.
​Në qendër të këtij destabiliteti rajonal, për vite me radhë, ushqehen politikat agresive të Beogradit dhe të Presidentit Aleksandar Vuçiç, të drejtuara jo vetëm ndaj fqinjëve si Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe përmes një diskriminimi sistematik të brendshëm.
Rasti më flagrant mbetet trajtimi i shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku përmes nënpërfaqësimit institucional, mohimit të të drejtave dhe praktikës shkatërruese të pasivizimit të adresave po zbatohet një formë e spastrimit administrativ për të ndryshuar demografinë dhe zhdukur praninë shqiptare nga vatrat e tyre stërgjyshore.
​Megjithatë, destabiliteti dhe sfidat ndaj të drejtave të shqiptarëve shtrihen përtej kufijve të Serbisë.
Në Mal të Zi, troje si Ulqini, Plava e Gucia vazhdojnë të përballen me margjinalizim ekonomik, cenim të pronave, presione që synojnë dobësimin e faktorit shqiptar.
Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut, goditja e herëpashershme dhe tendencat për kufizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, injorimin e Badenterit dëshmojnë se e drejta e barabartisë mbetet e brishtë dhe nën shënjestër të agjendave shoviniste.
​Nisma e Kongresit Amerikan është një kambanë alarmi për të gjithë ata që besojnë se paqja në Ballkan nuk mund të ndërtohet mbi pandëshkueshmërinë.
Thirrja drejt ligjvënësve amerikanë që ta çojnë përpara këtë projektligj nuk është thjesht një kërkesë për sanksione ndaj një vendi, por një investim jetik për mbrojtjen e vlerave demokratike, të drejtave të shqiptarëve në të gjithë rajonin dhe për ndalimin e çdo tendence që e kthen Ballkanin në një fuçi baruti për interesa të huaja lindore.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu