Berisha për shëmbull, një peshkaqen i terbuar, po edhe “peshq” më të vegjël, si me thënë deri karasa kinezë si Ilir Beqaj a Fatmir Mediu, ja kanë këputur “grepin” drejtësisë disa herë, dhe me grep në gojë, vazhdojnë të jetojnë ujrave të qelbura të pasurive korruptive.
Shkruan Sokol Pepushaj
Gjithandej, vjen era “peshk”. E kanë qelbur Shqipërinë milionerët e pushtetit.
Gjithkush i sheh me sy “peshqit”, i numëron, i njeh një për një. Edhe peshqit, e kanë kuptuar se janë peshq. Sali Berisha për shëmbull, Ilir Meta, Arben Ahmetaj, Fatmir Mediu, Damian Gjiknuri, Ilir Beqaj, e shumë tjerë, aq të mëdhenj janë, sa trupi u ka dalë përmbi ujë dhe populli po i gjuan me “gurë”, aq të rrezikshëm janë, sa “peshkatarëve” shqiptarë, u kanë kall datën.
Peshku ka luspa, ka pare, lekë domethënë.
Luspat, në Malësi quhen pare. Andej, është e njohur porosia e vjehrrave, sidomos për nuset e reja.
-O nuse, pastroja mirë “paret” peshkut. Edhe sytë fërgoja derisa t’i nxihen.
Jo më kot, në Kelmënd luspat janë pare.
Ato përmbajnë fibra kolagjeni me veti piezo-elektrike. Pra, nëse ushtrohet një forcë mekanike mbi to, mund të prodhohet energji elektrike.
Ndaj peshqit tanë janë kaq energjikë, ndaj peshkatarët e SPAK-ut as kapin peshk, as nuk munden t’ua pastrojnë paret.
E ka një shpjegim logjik kjo punë.
Këta SPAKAS-at shqiptarë, si me thënë “stajanicat” e drejtësisë dhe ekonomisë tonë, nuk po arrijnë të pastrojnë paratë e veta, pra gjysëm milion dollarshat e deri dy-tre milionshat, jo më të pastrojnë paratë miliarda dollarëshe.
Gjithsesi, një “Stajanicë”, që duket nikoqire për drejtësi dhe ekononi, po u jep zemër e shpresë shqiptarëve. Ambasadorja Yuri Kim, përditë artikulon drejtpërdrejtë, se peshku i vogël do ta hajë peshkun e madh këtë herë, bile këtë verë.
Për “peshk”, ka patur ca beteja në fakt.
Berisha për shëmbull, një peshkaqen i terbuar, po edhe “peshq” më të vegjël, si me thënë deri karasa kinezë si Ilir Beqaj a Fatmir Mediu, ja kanë këputur “grepin” drejtësisë disa herë, dhe me grep në gojë, vazhdojnë të jetojnë ujrave të qelbura të pasurive korruptive.
Po kush guxon t’i prekë këta?!
Peshkatarët Spakas, nuk numërojnë dot paret e veta, jo të peshqve, “Stajanicat” tona, e kanë harruar prej kohësh peshkun e mishin.
E ka një logjikë edhe kjo.
Ose ka fukarallek të madh, ndryshe prej dikur, ose nuset, nuk i dëgjojnë hiç vjehrrat, prapë ndryshe prej dikur.
Pra, qënkemi të pakënun?!
Jo, kemi lajm shumë të mirë. Jemi edhe të pasur edhe të kenun.
Në Kelmënd, “Stajanica” e konakut, është ndera dhe ekonomia e asaj dere.
Meqë kemi trokitur në një derë, në derën e mbyllur të Europës, është kohë e mirë, që në emër të kësaj ndere e të kësaj dere, të shpërthejë deri në “qiell” kërkesa njerëzore për Ambasadoren Yuri Kim:
Bëju njëherë “stajanicë” kelmendase, pastroja mirë paret peshkut e skuqe derisa t’i nxihen sytë!