Të dehesh në magjepsjen e një çasti

0

Shkruan Albert Vataj

Shpesh mrekullia e natyrës qëndron, jo vetëm te spektakli i mahnitshëm i kaosit galaktik, të cilin Zoti me plotpushtetin e Tij e vë në rregulla, apo te harmonia e përsosmërisë së kryeveprës së krijimit që shpërthen në çdo syth dhe harliset në krejt manifestimin solemn të hirit hyjnor, atij mëkimi që zbret si një dhuratë në duart e begatimit të një mrekullomi.
Po, ajo shpërfaqet me të pagjashmin kumt të epërm, edhe tek këto bulëza uji mbi bar. Ndoshta duke u përpëlitur ata qëndrojnë duke parë gjithësinë kureshtjes përmes vështrimit të tyre, tejdukshmërisht të kthjellët, reflektues dhe tejet delikat.
Si në një shfaqje magjepsëse, ato pika uji shpërfaqin në këtë lojë të çastit, gjithë madhështinë dhe hijeshinë që natyra fsheh në dukshmërinë e asaj ëndje, që vjen ta zgjojë përmes ledhatimeve të vështrimeve tonë plot ëndje.
Koha në këtë narrativë komunikimi poetik shpreh pakapshmërinë e saj, në raportet e papërfillshme që ajo ka me gjithësinë, e cila në këtë fraksion të rrugëtimit galaktik, rreket të tregojë se ajo mund të matet.
Presin kaq ankthshëm këto pika uji, mbi fijet delikate të barit, kjo gjendje fluide, sa çdo padurim yni për t’iu dhënë një dehje, e cila na përshkon kaq beftas dhe ngulitet kaq thellë brenda nesh, njëjtë si panorama që shfaqet në shkreptimën e një rrufeje. Më pas gjithçka fiket para dëshirimit tonë, por ajo vijon të mbetet llamburitëse në atë ndijim, i cili vepron si një reaksion kimik brenda nesh.
Unë, ti, dhe çdonjëri nga ne kemi patur privilegjin të goditemi nga një prekje shkasi për mrekullim. Sa e sa momente të tilla ndizen dhe shuhen në përditshmëri e një botë harrimtare që kalon hutueshëm, si yjet në gjithësitë që ende janë të parrokshme nga ambicia jonë për të zotëruar universin.
Por ëndja dehëse e një fotografi, nuk lejon që aftësia jonë për të përjetuar një çast të tillë të jetë e ngujuar brenda kufizimit të pakureshtjes dhe fikjes së atyshme. Ai e memorizon në një shkrepje këtë natyrshmëri, i bindur se po tenton ta ndalojë kohën që ajo të mund të vërshojë brenda nesh përmes këtij kopulimi magjepsës.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu