Kreu Hapësirë Tejkalim i një proteste të zakonshme mjedisore apo pronësore!

Tejkalim i një proteste të zakonshme mjedisore apo pronësore!

0
22
Shkruan Zef Ndreka
Nga videot dhe fotot e transmetuara gjatë këtyre ditëve në shumë media vizive dhe të shkruara, ngado ta shohësh, shumë lehtë mund të bëhen disa vëzhgime jo përfundimtare të sigurta për organizatorët apo për ndërhyrje shtetërore greke në punët e brëndshme të Shqipërisë. Sepse në imazhet e transmetuara keni parë shumë autobusë me tabela “ΑΘΗΝΑ – ΒΛΩΡΑ” (Athinë–Vlorë), flamuj grekë dhe parulla të ndryshme nga përsona që mbajnë pankarta në gjuhën greke.
Pa patur nevojë të futemi në konspiracione, kjo tregon se një grup personash po udhëtonin nga drejtimi i Greqisë për në Shqipëri dhe se mes tyre ka individë që identifikohen me kauzën e protestuesve grekë për çështjen e Zvërnecit.
Megjithatë, vetëm këto nuk mjaftojnë plotësisht të themi se udhëtimi është i organizuar nga shteti grek, por e kompromenton atë përdorimi i flamujve dhe stemave greke, i parullave dhe pompimit mediatik nga ana e tyre.
Ky nuk mbetet thjeshtë një konstatim apo pretendim, sepse Kali i Trojes mbetet gjithnjë dinak dhe nuk plaket, por për ta mbështetur një pretendim të tillë do të duheshin prova shtesë, detyre që duhet ta bëjnë organe të specializuara. Pra, të sigurohen në rrugë hetimore prova. dokumente organizimi, mundësisht deklarata zyrtare, financime të provuara ose raportime të verifikuara nga burime të besueshme.
Por problemin e këtyre ndërhyrjeve po e trajtojmë vetëm në planin politik, ku mbështetësit e shumtë të projektit në Zvërnec e shohin pjesëmarrjen e grupeve nga Greqia si presion të jashtëm ndaj një investimi në territorin shqiptar.
Gjithashtu, nga ana tjetër, kundërshtarët e projektit përpiqen të argumentojnë se këto protesta lidhen me mbrojtjen e mjedisit, të trashëgimisë kulturore dhe pronave që ata i konsiderojnë që preken nga zhvillimi.
Pavarësisht të drejtës për protesta dhe mbështetjes së tyre, është e lehtë të kuptohet dhe të interpretohet ndërhyrja greke. Parë në kontekstin e një proteste për një çështje territoriale në Shqipëri, përdorimi i flamujve grekë dhe parullave vetëm në gjuhën greke jep një mesazh politik dhe identitar që për ne shqiptarët është tejkalim i një proteste të zakonshme mjedisore apo pronësore.
Nga ana politike, është e vështirë të mohohet se imazhe të tilla krijojnë pershtypjen e një dimensioni greko-shqiptar të çështjes së Zvërnecit. Sidomos kur krahasohen me protesta të tjera mjedisore në Shqipëri, si psh. ato në Rrjoll apo zona të tjera bregdetare, ku nuk janë parë simbole të një shteti tjetër.
Pra, politikisht mund të themi me zë të lartë se flamujt dhe parullat greke e politizojnë protestën dhe i japin asaj një ngjyrim kombëtar grek. Dhe është shumë e rëndësishme të verifikohet nëse kjo përbën ndërhyrje greke në kuptimin shtetëror apo vetëm angazhim të grupeve dhe individëve të ndryshëm që po identifikohen haptazi me interesat greke në atë zonë.
Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu