Kryeministri Edi Rama iu ka kërkuar disa ministrave që të kërkojnë dorëheqjen e drejtorëve të të gjitha institucioneve që kanë në varësi. Shekulli mëson se jo të gjitha ministritë janë prekur nga ky urdhër.
Mësohet se nga ky urdhër përjashtohen Ministria e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe struktura e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, ministria e re e krijuar, ajo e Administratës Publike, e cila drejtohet nga Adea Pirdeni, do të kalojë “në sitë” punën e të gjitha institucioneve që preken nga ky urdhër.
Kujtojmë që në disa dalje mediatike të fundit, Rama ka kritikuar ashpër administratën. Disa javë më parë, kryeministri paralajmëroi masa ndaj drejtuesve të administratës që nuk respektojnë afatet për t’u dhënë përgjigje qytetarëve dhe për zgjidhjen e problematikave të tyre.
Rama më pas prezantoi edhe “Shkallën e Meritës” si një tjetër komponent të procesit të transformimit të administratës, krahas nismave të tjera, përfshirë BESA-n dhe platformën “Pasqyra”.







