SPAK ka çelur zyra në 12 qarqet e vendit një muaj para zgjedhjeve të 11 majit. Prokurorët e SPAK-ut do bashkëpunojnë me ata në qarqe për të hetuar krimet e mundshme zgjedhore.
Paralelisht janë duke u verifikuar edhe referimet e pasqyruara në platformën e SPAK, e cila prej muajit mars është aktive. Shqiptarja raporton se çdo ditë adresohen denoncime nga qytetarët.
“Task-Forca”, do ketë një periudhë funksionimi që do vijojë për 3 muaj, deri në fund të majit. Në krye të kësaj Task-Force është kryeprokurori Altin Dumani.
Task-forca e SPAK do të përbëhet një strukturë qendrore dhe grupet hetimore të shpërndara në terren gjatë periudhës zgjedhore, ku do të bëjnë pjesë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës në të 12 qarqet dhe 61 bashkitë. Në Tiranë struktura qendrore do drejtohet nga Dumani. SPAK thotë se fokusi kryesor i grupeve hetimore do të jetë në parandalimin dhe hetimin e përdorimit të administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirja e grupeve kriminale në proces zgjedhor. Një grup i posaçëm me hetues financiarë dhe ekspertë të tjerë të fushës do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme.