SHKRUAR NGA SOKOL PEPUSHAJ
Kryeministri, jo se nuk i pëlqen të bjerë në “kurthin” e Saliut, të prodhojë divergjenca false e në është nevoja edhe konflikte, deri civile, për të shpëtuar nga prangat që i kanë afër të dy, por nuk e ka të mundur se është nën vëzhgim
Cunami i Drejtësisë po vjen. Mafia e ka ndjerë, Edi Rama, si deti para shpërthimit, është tërhequr. As mundet të shkojë në Amerikë, as të flasë për skandalin korruptiv me McGonigal.
Sali Berisha, po përpiqet t’i largojë “Peshqit” e mëdhenj nga zona e nxehtë. Mes turbulencave politike, ekonomike dhe shoqërore, me eklektizmin dhe antiamerikanizmin model sovjetik, kërkon qetësi tek më të rrezikuarit. Edi Ramën e ngacmon të mos rrijë i tërhequr.
I intereson debat publik, sikur të dy janë ende të lirë, sikur pozita dhe opozita nuk lidhen veç nga etimologjia e emërtimit, por edhe nga përgjegjësitë që kanë për të ardhmen.
Po a është e vërtetë kjo?
Opozita dhe pozita kanë shumë të përbashkëta. Antiamerikanizmin, krimin, korrupsionin, stalinizmin dhe talebanizmin.
Kryeministri, jo se nuk i pëlqen të bjerë në “kurthin” e Saliut, të prodhojë divergjenca false e në është nevoja edhe konflikte, deri civile, për të shpëtuar nga prangat që i kanë afër të dy, por nuk e ka të mundur se është nën vëzhgim, më qartë, në paraburgim.
E ndjen Cunamin.
Sa për t’ju qetësuar ju që shqetësoheni nga heshtja, as kush, madje as Olta Xhaçka që i ka lënë varur në kalendar procedurat për ndërrimin e diplomates amerikane, nuk e ngacmojnë plagën e një të akuzuari, që me sot a me nesër do të jetë para drejtësisë.
Sa për ilustrim, ca muaj para arrestimit, edhe ish Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi qëndronte në zyrë dhe nuk bënte as gëk, as mëk. Edhe ai dhe gjithë kupola e politike e shtetërore, e kanë ndjerë se do ketë Cunam, por jo kaq qartë sa këtej. Prandaj e pritën me durim.
Por Babloku nuk e ka atë durim, se nuk është mësuar as me luftë, as me kundërshtarë. Është marrë përdore nga një plazh lakuriqësh në Paris, i sapo dalë nga burgu, dhe është ulur në kolltuk ministri.
Tjetër çfarë është Babloku?
Edhe pse nën akuzë si antiamerikan, lëshon bubullima në emër të ambasadës amerikane. Ne nuk e marrim guximin ta bëjmë ndarjen mes një incidenti individual dhe vazhdimit të suksesit të hershëm, që ende mbijeton si paralajmërim; “kujdes kur votoni, se Partia Socialiste kontrollon imtësisht gjithë shqiptarët që kualifikohen ose jo për viza amerikane”.
Ai ende bën presion se “nuk keni parë gjë akoma”.
Lajmi nga kryeministri për një “non- grata” të shpejtë nga radhët e opozitës, pajton origjinën e akteve kriminale të Mafies, me sensin e ri të sakrificave në alkiminë e mbijetesës.
Mbijetesa është jo vetëm e justifikuar, por edhe e bekuar.
Tek burgu dhe vdekja, askush nuk shkon me dëshirë. Të dyja, janë më të hijshme, pas “lëpirjeve” të kafshëve për rreth. Në Ballkan, sa herë ka pranga, sajohen ca akte motivuese, si format ngushëllimi; ”Akuzat janë kot, ndërhyrja në punët e brendshme të mafies bëhet me qëllim të keq, se po të ishin prapë nga fillimi, ashtu do punonin!”
Nuk mund të mos thuash, se as kafshët nuk do të kishin mundur të dëmtojnë kaq shumë në këto 32 vite.
Togfjalëshi nuk mundet, na ngjan si dukuria më komplekse e “shportës” që na ofron Amerika, në këtë stinë, ku Ariu lëpin buzët nën mollë.
Diku afër mollës, nuk është e para herë që ambasadorja amerikane Yuri Kim, i vendos “këmbët mbrapsht” me heshtjen kaq të ndjeshme për fatet e demokracisë.
Një vagabondi e hajduti që shpërfill popullin, që i bën presion në emër të ambasadës amerikane, i duhet vënë një pritë.
Nga mafioz, bëhet Djall, i kthen këmbët dhe ligjet mbrapsht dhe i nxjerr dhëmbët opozitës; Ky është i sigurt se “Shtëpia e Bardhë” shumë shpejt do i sjellë opozitës një zarf të zi, duke, lënë të nënkuptohet, se i ka blerë amerikanët me paratë e taksave tona.
Ne që presim Cunamin, nuk habitemi për këto skandale.
Me “grep”, një kolege e jona, mori nga ambasada sqarimin se nuk mund të ketë rrjedhje informacioni për “non- grata”, por ka apo jo dijeni kryeministri, nuk kishte përgjigje.
Heshtja nuk dimë të jetë mohim, të paktën deri sot.
As jeta luksoze dhe bizneset familjare në nivele sheikësh, me 70 dollarë rrogë në ditë, nuk mund të jetë mohim i abuzimit me pushtetin, apo jo?!
Ekuilibri i lëkundur i aventurierëve të Mafies Ballkanike, me këmbët mbrapsht, e ka dëmtuar imazhin e fateve të demokracisë, deri sa të shpërthejë ky Cunami që do zhdukë “Peshqit” e Mëdhenj.
E njëri ta, pa dyshim, është ky që rri mënjanë. Është aq i trullosur, sa dhe kur nxjerr një llaf, i bën masë, po vjen Cunami model Kosovë. Me sot a me nesër, edhe Edi Rama mund të arrestohet në zyrë, si Hashim Thaçi./Pamfleti