Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur sot për të përditshmen britanike The Guardian, ka thënë se dita e hënë ka qenë shumë e rëndë, dhe se “jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”.
I pari i qeverisë së Kosovës ka komentuar edhe mesazhin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ky i fundit ka kritikuar autoritetet e Kosovës, duke thënë se vendimi për të përdorur forcën për të hyrë në ndërtesat komunale në veri ishte marrë “kundër këshillës” së SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe se “po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin”.
Kurti shprehu pakënaqësitë për këtë deklaratë, duke e cilësuar të padrejtë, të gabuar dhe shumë naive.
“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por përfundimisht nuk ishte e dobishme”, tha Kurti përmes telefonit për The Guardian.
Kurti tha se kishte folur me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe se ky i fundit i ishte kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të zhvendosnin kryetarët e komunave në objekte të ndryshme, ose t’i bënin ata të punojnë nga shtëpia, një kërkesë që ai e kishte refuzuar.
“Nuk mund të kemi kryetar komunash Zoom (platformë e video-thirrjeve online), ne jemi republikë demokratike”, tha Kurti. “Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, theksoi ai.