Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të nxitur të rinjtë që të aftësohen dhe të kenë kualifikimet e nevojshme që kërkon tregu i punës, mesa duket kjo nuk mjafton, dhe një nga arsyet është edhe emigracioni në tregjet europiane. Kjo fuqi e munguar punëtore, duket se po kompensohet nga vendet e largëta. Kështu, të dhënat e INSTAT tregojnë se në 6 mujorin e parë të vitit ka pasur një bum hyrjesh në vendin tonë nga rajone si Afrika, Azia Lindore dhe Paqësori, Azia e Jugut dhe Lindja e mesme, të cilët duke marrë në konsideratë nivelin ekonomik, duket se nuk kanë qëllim kryesor turizmin, por punësimin në Shqipëri.
Konkretisht, numri i hyrjeve të shtetasve të huaj në 6 mujor nga Azia Lindore dhe Paqësori, është rritur me afro 14.800 individë në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me afro 2400 është rritur numri i hyrjeve nga Lindja e Mesme, me rreth 2500 shtetas nga Azia e Jugut, dhe 3500 hyrje më shumë nga Afrika. Por në tregun e punës jo të gjithë deklarohen dhe një pjesë e mirë e tyre punojnë edhe informalë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, rezulton se gjatë vitit 2022, janë pajisur me leje dhe vërtetime pune 8,305 shtetas të huaj ose e thënë ndryshe 65% më shumë se viti 2021. Sa i takon shtetësisë së tyre, rezulton se ndër lejet e dhëna për punësim, 17% janë shtetas turq, 14% nga Bangladeshi, 11% egjiptianë dhe 11% indianë.