Hapeni atë parti ose lëreni të japë shpirt!

0

Shkruan Gëzim Saliu

Tek po lundroja në rrjet më ngacmoi vëmendjen një nga shkrimet ‘biletë’ të akademikut Artan Fuga, i cili mes thjeshtësisë dhe origjinalitetit që e karakterizon, di gjithnjë si t’i përcjellë më së miri idetë e tij. Referuar gjendjes mjerane të opozitës dhe debateve shterpë për vulën, profesori argumentonte se halli më i madh i opozitës duhet të jetë hapja e madhe dhe e vërtetë ndaj të rinjve dhe figurave me integritet.

‘Kaq te zorshme e ka opozita te kuptoje qe duhet te nxjerre 100 emra djem e vajza 30 – 35 vjec si persona te mundshem qeveri hije e deklaruar publikisht?

Kaq u duket veshtire ta shpikin rroten? Po rrine merren jo e lagu jo nuk e lagu, jo kush vodhi vulen, jo kush ka cakmakun, xhirojne ne vend me debate e monologe shterpe ?

O Zot!’, shkruante me shumë të drejtë akademiku në faqen e tij personale në ‘facebook’.

Në fakt prej kohësh kam argumentuar në studiot televizive ku kam qenë i ftuar por edhe në shkrime të herëpashershme në median ku punoj se opozita ka domsodoshmërinë e një hapje të madhe dhe reale, ku të rinjtë dhe intelektualët të jenë ‘fytyra’ e re e frontit kundër mono-mazhorancës.

Sic e shoh unë, roli i Sali Berishës nuk ka përfunduar, aq më shumë në gjendjen ku është PD-ja sot, madje mund të japë një kontribut të madh në këtë hapje cilësore e të vërtetë. Por Berisha duhet me patjetër të ndreqë gabimin e këtij viti të fundit, pasi kur mori me vendim gjykate kryesimin e PD-së, nuk solli atë cfarë u premtua fillimisht në takimet e foltores.

PD hapi vetëm një dritare të vockël për të rinjtë dhe intelektualët, ndërsa padyshim arritja më e madhe, të cilën e kam vlerësuar si një hap për demokratizimin e partisë, ishin primaret. Individë dhe emra të cilët në një pjesë të madhe ishin të padëgjuar në ambientet e poltikë e medias, por me kontrbute reale në bazë, morën votat e demokratëve për të qenë ata përfaqësues të opozitës në zgjedhjet vendore. Ndërkohë pati edhe emra me peshë si ato të Igli Carës apo Luciano Boçit, që ishin privilegj jo vetëm për opozitën por edhe për qytetarët. Tjetër diskutim më pas rezultati i 14 majt, ku nuk po zgjatem pasi e kam dhënë edhe më parë mendimin lidhur me këto zgjedhje, nëse mund të quhen të tilla.

E megjithatë duhej shumë, madje shumë më shumë. Duhej ndoshta edhe më shumë se nisma e “KOP”-it në 2004-2005, pasi edhe kushtet politike dhe sociale janë krejt të ndryshme. Emigrimi po ‘ha’ vendin, ndërsa korrupsioni dhe krimi janë bërë ‘mal’. Ndaj edhe PD duhej të thithte pranë saj të rinj të talentuar brenda e jashtë vendit, duke i dhënë detyra dhe përgjegjësi reale, dhe jo për ti përdorur thjesht si ‘makiazh’ të PD-së së re. Duhej gjithashtu një hapje e madhe ndaj figurave me integritet dhe të papërlyera më parë me poste dhe përgjegjësi shtetërore; intelektualë, profesorë, mjekë, artistë etj.

Ndërsa kjo nuk ndodhi, në PD u rishfaqën në role kryesore të njejtat figura që i kemi parë më parë në qeverinë “Berisha 1” e “Berisha2”, të njejtët individë që kryesonin në poste dhe fjalime edhe në PD-në e drejtuar nga Basha. Askush që i do të mirën opozitës nuk kërkon që ‘kontributorët tradicionalë’ të partisë të largohen tak-fak me një të rënë të lapsit si ‘xhaketa të vjetra’, sic ndodhi me listën e Bashës në vitin 2017-të. Por, ka një masë dhe një kufi.

Këta individë, ish ministra kryesisht, por edhe njerëz të ngjitur pas Berishës si me ‘misniç’, duhej të kuptojnë se para qytetarëve nuk ngjit më kultura e të akuzuarit dhe të bërit politikë me thirrjet “Rama është hajdut” apo “Rama i drogës”. Qofshin të gjitha akuzat e opozitës të vërteta, ka rëndësi parësore nga cilët individë ato përcillen publikisht. ‘Kontributorët tradicionalë’ mund të jenë të rëndësishëm në pjesën e organizimit, kjo edhe në saj të përvojës më të madhe që kanë në parti. Prapaskena duhet të jetë ‘skena’ e tyre kryesore.

Në publik duhen shfaqur njerëz që kanë besimin e qytetarëve, individë që kur pëcjellin një denoncim, nuk marrin në reagime nga qytetarët, sharje e fyerje më shumë se sa i akuzuari i pushtetit. Nëse doni emra, një ndër to është mjeku Ilir Alimehmeti, por ka edhe të tjerë brenda kampit opozitar që duhet të nxirren nga Berisha nga errësira ku i kanë ngecur dhe të shfaqen para proxhektorëve.

Ndërkaq me urgjencë është HAPJA e vërtetë e partisë, ku meritokoracia dhe integriteti i figurave të sundojë mbi konkurencën e pandershme brenda partisë. Unë e di mjaft mirë se kushtet e garës elektorale me kundërshtarin janë fare të pabarabarta. Vetë kam denoncuar qindra shkelje të kodit zgjedhor dhe mungesës së normave standarde të procesit zgjedhor nga mazhoranca socialiste. Shto këtu edhe përballjen me individët me rekorde kriminale dhe paranë e pistë të hedhur me bollëk në çdo palë zgjedhje.

E çfarë duhet të bëjë opozita?!

Dy rrugë ka: Ose i përgjigjesh kundërshtarit me të njejtën monedhë, pra merr edhe ti pranë vetes gangsterë e njerëz që kanë pas vetes botën e krimit ose në të kundërt krijon një alternativë ndryshimi, me kushtin që qytetarëve t’u ofrosh vërtet NDRYSHIM. Dhe ky ndryshim nis që nga njerëzit që zgjedh në parti.

Nëse duhet bërë hapi i madh, koha ka ardhur.

Berisha ka treguar se di të jetë strateg dhe luajal, aq më tepë kur bëhet fjalë për të sjellë partinë në pushtet. Ndaj hapja duhet të ndodhë sa më parë dhe altrernativa ndaj qytetarëve të nisë mbi bazën e këtyre njerëzve të rinj që do të integrohen në parti, mbi bazën e ideve dhe kontributetit që ata do të sjellin. Në të kundërt, nëse do vazhdohet me insistim rruga e ndjekur në dy vitet e fundit, rezultati në 2025-ën do jetë po i njejtë, në mos i thelluar.

Nuk duhet lënë pas dore gjithashtu edhe hapi tejet i rëndësishëm i BASHKIMIT. Në shkrim besoj u vu re se thirrjen ja kam drejtuar PD-së së Berishës, jo vetëm se ka shumicën te demokratët por edhe se besoj se kjo palë është e interesuar vërtetë për të risjellë PD-në në pushtet. Tek partia e vulës dhe kryetari i rizgjedhur i saj nuk shoh asnjë mundësi për rezultat pozitiv në zgjedhje, madje kam dyshime të forta se do ripërsëriten pazaret e 2017-ës.

E megjithatë, një pjesë e deputetëtve demokratë, dikur mbështetës të Bashës, sot kanë reflektuar, dhe me të drejtë e kanë cilësuar rikthimin e tij në krye të partisë si një farsë me bazë interesin personal. Me këtë grupim, Rithemelimi duhet të hyjë në negociata bashkimi dhe të shohë mundësitë e një bashkëpunimi të ri, mbi bazën e elementëve të sipërpërmendur për alternativën opozitare.

Por jo vetëm kaq!

Ka disa përfaqësues dhe aktivistë të shoqërisë të cilët kanë nisur të hedhin bazat e lëvizjeve të tyre politike. Këta të fundit nuk duhen parë nga kampi i Berishës me skepticizëm dhe as duhen sulmuar si të majtë apo të shitur, ose ndoshta si individë që mund të ndryshojnë ekulibrat në front. Në kushtet e një mazhorance si kjo e PS-së, përballja kërkon bashkim me të gjithë individët, grupimet dhe elementët që janë kundër mënyrës se si po qeveriset sot vendi. Një front i gjerë që do të jetë njëkohësisht një ‘hambar’ i madh votash i grupimeve të ndryshme qytetare, mes tyre edhe ato që e kritikojnë Berishën, madje edhe të atyre që nuk duan Ramën por nuk besojnë te opozita aktuale. Elektorati i cilësuar si ‘gri’ mund të jetë target grupi i synuar i këtij fronti të madh për 2025-ën.

Deri atëherë, me urgjencë është HAPJA e madhe dhe e vërtetë, ndryshe, sa folëm më sipër nuk ka vlerë.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu