Shkruan Edith Harxhi
Miq të nderuar,
Kosova është shtet i pavarur, me një administratë, polici dhe ushtri të ngritur më së miri me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Shqiptarët në Kosovë njohin më shumë se ne në këtë anë të kufirit të drejtën pronësore dhe shtetndërtimin. Shtetin e kanë ngritur me shpirt dhe mund, duke mos harruar asnjë herë genocidin ciklik në Kosovë dhe shpërnguljet e dhimbshme nga Toplica, Nishi, Prokuplje e Kurshumlia e në 50 vjeçarin e fundit edhe nga veriu i territorit të saj dhe Lugina.
Ata janë të vetëdijshëm që në kufirin verior dhe lindor kanë fqinj një agresor si Serbia e megjithatë gjithëmonë kanë qenë të prirur drejt paqes.
Të propozosh Konferencë Ndërkombëtare për një shtet të pavarur që tashmë njihet nga 115 vende të botës dhe shumë organizma ndërkombëtare është dashakeqësi dhe më së paku dritëshkurtësi.
Të propozosh vendosjen e trupave të NATO-s ekskuzivisht në veri të Kosovës do të thotë që propozon me paramendim ndarjen e saj, njësoj si provinca Brcko në Bosnje.
Të propozosh katër ditë pas agresionit serb në veri të Kosovës, përsëri Asociacionin e Komunave serbe është njësoj sikur ti thuash popullit të Kosovës “s’ma ndin hiç për ju”.
Është njësoj si të propozosh Republika Serpska dhe të kesh që Radojncic për Dodik të dytë.
Prandaj Kryeministri i Shqipërisë të ndal menjëherë së dhënuri mend Kosovës dhe së këshilluari bashkësinë ndërkombëtare në emër të shqiptarëve.
Kosova nuk është Krime. Kosova nuk është Donbas. Kosova nuk është as Katalonja. Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë konflikt i ngrirë. Kosova dhe Ballkani shpëton vetëm duke u anëtarësuar Kosova sa më parë në NATO.
Sot si kurrë më parë më këto vite që prej përfundimit të luftës së Kosovës ne duhet të bashkohemi të gjithë rreth interesit tonë kombëtarë dhe të mos lejojmë askënd të përdorë Kosovën dhe arenën ndërkombëtare për të fshehur problemet e brendëshme dhe bjerjen e shtetit shqiptar nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe lobingjet transnacionale.
Bashkimi Europian është mirë të ndalë sa më parë përkëdheljen e agresorit dhe kriminelit të luftës Vuçiç, thjesht për hir të një stabilitieti që tani është dëmtuar rëndë nga politika e stabilokratëve që mbahen me pahir në pushtet në Ballkan.
KM-ja duhet të paktën të heshtë asgjë më shumë.
Në Kosovë shumë bukur thonë “shuj bre”- hesht.