Shkruan Ndoc M. Shaben
I lindur në Theth më 2.12.1928, At’ Ambroz Martini do të hynte në urdhrin e shërbimit fetar që më 1938 në kolegjin françeskan. Në formimin e tij ndikuan figura të njohura të fançeskanëve Pater Anton Harapi, At’ Antonin Fishta, At’ Mati Prenushi, At’ Agostin Ashiku.etj. Në vitin 1946 u largua me forcë nga Kuvendi Françeskan nga komunistët dhe më pas u dërgua po me forcë ushtar në Tiranë.
Më 26.07.1948, u arratis me Lin Delinë në Mal të Zi. Nga viti 1949-1951 ndoqi studimet në universitetin e Arteve të Bukura në Herceg Novi. U emërua mësues në Shën Vladimir (afër Ulqinit). Më 1952 arrestohet sepse shkonte në kishë për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë.
Kjo sjellje ishte krim kundër një shteti që i jepte rrogën “për me kënë të pa Zot”. Për gjashtë muaj e kanë dërguar në Plevlien e Sanxhakut, pika ku takohen Bosnjë- Hercegovina, Serbia e Mali i Zi. Këtu ka ndenjur i internuar bashkë me 64 burra e gra shqiptarë të konsideruar armiq.
Në dhjetor të atij viti me të dalë prej burgut shkon në Pejë, Vitomiriç me At’ Daniel Gjeçajn dhe meshtarë të tjerë .Në 1953 niset për në Universitetin e Beogradit për të studiuar “Gjuhët Klasike” (greqisht e latinisht), ku kanë qenë edhe studentë të tjerë shqiptarë si Martin Camaj, Dom Zef Oroshi, At’ Bernard Sarreqi.
Në fillim të vitit 1955 At Ambrozi shkon në Romë. Mbas dhjetë vitesh vishet përsëri françeskan dhe fillon Teologjinë në Fiezole të Firences. Me privilegj special për shkak të moshës, shugurohet meshtar. Mbaron vitin e pestë të Teologjisë në Oservanca të Sienës dhe regjistrohet në Firence në Universitet për të vazhduar “Gjuhët Klasike”. Ushtron meshtarinë në Romë, San Francisko, Bruksel ku jetoi 25 vjet.
Në vitin 1983 bëhet nënshtetas belg. Kthehet në Shqipëri për herë të parë mbas një kohe të gjatë për shugurimin ipeshkvnor të katër meshtarëve më 25 prill 1993, për të qëndruar përfundimisht në Provincën Françeskane Shqiptare të Zojës Nunciatë.
Për gjashtë vjet, deri më 2006 jetoi në kuvendin e Zojës Rruzre tek Arra e Madhe ku ka dhënë ndihmën e tij si rrëfyes. Dhe nga viti 2006 deri sa vdiq ka jetuar ne kuvendin e Shën Françeskut në Gjuhadol.
At’ Ambroz Martini vdiq më datën 04.02.2010 në orën 02:20, në Shkodër. Ai ishte i fundit prej etërve françeskanë të formuar që në fillimet e shekullit të kaluar si At’Zef Pllumi, Dionis Maka, Konrrad Gjolaj etj. Dhe pranë tyre do të prehet, tek kisha e Arrës së Madhe. Ceremonia bëhet të shtunën ora 10 në kishën françeskane.
Promoted Content