Një kameraman i rrjetit të lajmeve Al Jazeera u vra në Rripin e Gazës dhe një gazetar u plagos, njoftoi kanali arab.
Samir Abu Dakka u plagos rëndë së bashku me kolegun e tij teksa mbulonte bombardimin e një shkolle. Ekipet e shpëtimit nuk mundën të arrinin në kohë në vendngjarje për ta dërguar atë në spital për shkak se rruga ishte bllokuar nga rrënojat e një shtëpie.
“Me zemër të rëndë njoftojmë humbjen e kameramanit tonë të përkushtuar, Samir Abu Dakka”, shkroi Mohamed Mouawad, kryeredaktor i kanalit, në Platformën X.
Sipas një përfaqësuesi të kanalit, gazetarët u goditën nga një raketë lançuar nga një dron në qytetin e Khan Younis, në Gazën jugore.
Më shumë se 60 gazetarë dhe punonjës të medias janë vrarë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe hakmarrjes izraelite në Rripin e Gazës.