Brenda një harku të shkurtër kohor, maturantët janë njohur me rezultatet e te tria provimeve me detyrim, ndërkohë që premtohen shumë shpejt edhe rezultatet e lëndës me zgjedhje.
Testi i Matematikës ishte ai që i vuri “vulën” zemëratës së të rinjve, që deri dje ishin më të qetë krahasuar me vitet e kaluara, ku çdo tezë është kontestuar. Një lumë pakënaqësish kanë vërshuar në rrjete sociale nga maturantët që thonë se do të protestojnë sot në orën 10:00 përpara Ministrisë së Arsimit
Pas protestës së të shtunës së javës që shkoi për tezën e provimit me zgjedhje, e cila, sipas tyre, nuk përputhej me programin e lëndës të zhvilluar në shkolla, maturantët do të dalin sërish sot në rrugë për të kundërshtuar skemën e vlerësimit të provimit të dytë me detyrim, Matematikës.
Pas lumit të komenteve negative në “Facebook”, zemërata do të zhvendoset sot përpara Ministrisë së Arsimit, për atë që ata e cilësojnë si “mund i çuar dëm”. “Të harxhosh miliona lekë në vit kurs, të punosh dhe natën me Matematikën dhe të shohësh notën 6 në provim, nuk kam fjalë.
Mund në vite i çuar dëm. E dija që do dilja keq, por jo kaq. Edhe Biologjia kushedi se çfarë do të na nxjerrë, duke parë skemën e vlerësimit. Ndërkohë, nxënës që u futën me telefon morën 9.5. Shpresoj të vijnë në protestë sa më shumë nxënës”, shprehet një nga të rinjtë e indinjuar në rrjete sociale.
REAGIMI
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, thotë se protesta e maturantëve është një kambanë e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi.
Me anë të një statusi në “Facebook”, ai vë në dukje se maturantët kanë vite që nëpërkëmben, ndërsa “kalvari i tyre në monopatet e një arsimimi aspak cilësor, diskriminues dhe i mangët, përmbyllet me një garë-test mature fiktiv, banal, i metë dhe penalizues”.
“Protesta e maturantëve është kambana më e fortë për situatën dramatike në të cilën është zhytur vendi. Padrejtësia e ngritur në sistem, ka prekur edhe brezin ku ëndrra është gjithmonë më e fortë se realiteti.
Por tashmë gjithçka është thyer. Sot realiteti është më i fortë se ëndrra dhe e tejkalon atë. Hidhtësia e tij ka mbytur çdo ëndërrim rinor, shpresë e perspektivë edhe te mosha më optimiste dhe e sinqertë.
Ai thekson se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por është tërësore, duke theksuar se në 7 korrik, kur Sali Berisha ka thirrur protestën, do të protestohet edhe për ta. Atyre dhe familjeve të tyre sot u kanë rrëmbyer gjithçka. Edhe ëndrrën. Përfundimisht kësaj qeverisje i ka ardhur ‘ngordhja’”, shkruan Boçi.
Deputeti këmbëngul se protesta e tyre nuk është thjesht arsimore, por sepse atyre dhe familjeve të tyre iu kanë rrëmbyer gjithçka, ëndrrën. “Kur studentët e shohin që padrejtësia është bërë mal, zemërohen me protestë.
Ndryshimi i kërkuar prej tyre gjithmonë është revolucionar dhe ata kërkojnë përmbysje. Edhe në këtë rast, një qeverisje serioze vetëlargohet. Por ama, kur dalin në protestë 18- vjeçarët është fundi, fundi fare.
Sepse kjo tregon që drama tërësore ka kapur dhe atë segment të shoqërisë ku fle e ardhmja dhe shpresa. Padrejtësia ndaj tyre është kulmi i padrejtësisë që e bëjnë vetëm regjimet”, thotë Boçi, duke shtuar se në protestën e PD-së, në 7 korrik, do të protestohet edhe për ata.
Qarku që thyen rekord me rezultate maksimale
Dalin notat e Matematikës Rezultatet e provimit të Matematikës për shumicën e maturantëve ishin më shumë se sa zhgënjyese. Nga 29 mijë e 829 maturantë pjesëmarrës në provim, plot 1729 maturantë kanë rezultuar mbetës, ose 5.7%, i përafërt me atë të vitit të kaluar, ku kalueshmëria ishte në nivelin 94% në rang kombëtar.
Pavarësisht pakënaqësive, ka pasur një numër të konsiderueshëm maturantësh që kanë rrëmbyer dhjetën absolute, 10.00. plot 234 të tillë, nga vetëm 36 vitin e kaluar. Një tjetër tregues i trendit pozitiv të të dhënave të përgjithshme është nota mesatare, e cila gjithashtu ka ardhur në rritje. Nga 6.75 vitin e shkuar, maturantët e 2022 kanë një mesatare totale në nivelin e 6.88.
Sipas grafikut të notave në rang qarku të përpunuar nga disa të rinj të “Portali studentor”, Kukësi rezulton “kampion” me mesataren më të lartë, 8.43, ndjekur nga Durrësi, Lezha, Tirana e Shkodra.
Por jo vetëm në Matematikë. Maturantët e Kukësit kanë shkëlqyer edhe në dy provimet e tjera me detyrim, Gjuhë e huaj dhe Gjuhë shqipe e letërsi, me mesatare në rang qarku përkatësisht 8.39 dhe 7.83. Ky fenomen nuk ndodh vetëm sivjet në fakt, por edhe më herët.
Janë ekspertët e pavarur apo ata të Ministrisë së Arsimit që mund të përmendin arsyet që renditin të rinjtë e qytetit verilindor në krye të “top” listës së të shkëlqyerve në mbarë vendin, në një kohë që nuk përfshihen në asnjë olimpiadë kombëtare a ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, administrimi vijon të përmendet si një ndër pikat më të forta të maturës, pavarësisht se rëndom, tezat bëjnë xhiron në rrjete sociale ndërkohë që të rinjtë testohen.