Elvis Rroshi, ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, i cili për një kohë të gjatë ishte objekt sulmesh nga Partia Demokratike, sot mbledh vota për këtë parti.
Rroshi, që humbi mandatin e Kryebashkiakut si pasojë e ligjit të dekriminalizimit, madje u përball me akuza penale, ka surprizuar sot teksa në rrjetet sociale i ka bërë thirrje votuesve të qarkut të Tiranës që të votojnë për Elton RRroshin, kushërin e tij.
Rroshi është në listat e hapura të koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ të udhëhequr nga Partia Demokratike.
Ish kryebashkiaku socialist ka postuar në rrjetet sociale posterin e fushatës të Elton Rroshit, të cilin e ka djalë xhaxhai.
Berisha ka justifikuar përzgjedhjen e Elton RRroshit si kandidat për deputet, duke thënë se kushëriri nuk është mëkatar për ato që ka bërë ish-zyrtari vendor, Elvis RRroshi, i cili u përjashtua nga politika përmes ligjit të dekriminalizimit.
“Kushëriri nuk është mëkatar për kushëririn. Si quhet ky kandidati? Elton… Me Elvisin se ka lidhje gjaku është gjë tjetër, por nuk ka lidhje, kjo nuk është kriter për kandidatët. Edhe Edi Rama ka dy kushërinj, njëri se na akuzon ne për rrëmbim pronash dhe tjetrin e bën prefekt për të rrëmbyer prona”,- është shprehur Berisha.