Loja anti- Trump e Sali Berishës: 29 nga 50 deputetë të PD-së, janë të Sorosit!

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Humbja e Sali Berishës në zgjedhjet e 11 majit është fshehur mjeshtërisht brenda fitores së Edi Ramës. Në të vërtetë, ajo që ndodhi nuk ishte një garë politike, por një montazh i kujdesshëm, prodhim i një laboratori ndërkombëtar me autorësinë e Aleks Sorosit, i cili u kujdes për veshjet e brendshme të Berishës dhe ato të jashtme të Ramës. Ai që nuk kishte më asnjë shans për të fituar mandatin e katërt, por që mbijetoi duke mos bërë asgjë tjetër përveç hajdutërisë dhe skuthit, u shpërblye me një fitore të stilizuar, ndërsa Berisha u katapultua në disfatë me një gënjeshtër në dorë: opozitë anti-Soros.

Të dy u ekspozuan në vitrinën e një pazari të shëmtuar ku fitorja nuk ka të bëjë me votën, por me përzgjedhjen e atyre që hyjnë në listat e kandidatëve. Repartet e këmbësorisë antisorosiane qëndruan jashtë loje, ndërsa njësi të zbulimit kishin mbushur lirisht zonat ku Donald Trump po përpiqej të mbillte helm politik për Aleks Sorosin. Listëpagesat e Sali Berishës ishin hije ekrani në televizionet e Meduzës së Surrelit, sa për të krijuar një ndjesi të rremë pluralizmi. Në të njëjtën kohë, Babloku, sipas porosive të Aleksit, arriti të ngrijë në vend çdo njeri që e shikon në sy, ndërsa dhelpëria me përzgjedhjen e emrave anonimë në listat e PS-së u kthye në grackën ku i ngeli këmba rotacionit të shumëpritur.

Në realitet, nuk ishte më rëndësi kush votonte, por kush përzgjidhej. Me 44 kandidatë në total të lidhur me fondacionin Soros, 27 në listat e mbyllura dhe 17 në të hapurat, manipulimi i madh ndodhi jo më në kutitë e votimit, por në laboratorin e emrave që “duhej të ishin aty”. Ata 83+3 deputetët e shumicës janë rezultat i një dizajni që ngjan me një pazar me nënkontraktim për stabilitet të kontrolluar, ndërsa 29 deputetët e tjerë të opozitës janë tërësisht “gjoja-opozitarë” me kartë anëtarësie në fondacion.

Sot, Sali Berisha shtyn i vetëm një karrocë të mbushur me bajgat politike të Nokës dhe Mediut, dy elefantëve të pangopur të tranzicionit, ndërsa Rama sheh nga Surreli me qetësi absolute dhe me fytyrën e njeriut që nuk bëri asgjë, por i falën gjithçka. Në këtë vend, edhe humbja është e kontrolluar, edhe fitorja është e dizajnuar. Kur lista e deputetëve të PS-së shërbeu si dokument mbrojtës për regjimin, lista e opozitës ishte thjesht reflektim i marrëveshjes së fshehtë për të mos ndryshuar asgjë. As emra, as rregulla, as fytyra.

Aleks Soros, i padukshëm, vazhdon të sillet si i forti i fshatit. Ai nuk ka nevojë të kandidojë, të bëjë fushatë apo të japë intervista. Ai ka njerëzit e tij në listat e të gjitha partive, ndikimin në agjendat diplomatike dhe pronësinë e qendrave të kontrollit mediatik që përsërisin çdo ditë refrenin e qëndrueshmërisë. Në këtë farsë të sofistikuar, demokracia nuk ka më as hije, vetëm kostume. Të dizajnuara nga Aleksi, të veshura nga Edi, të pranuara në heshtje nga gjithë të tjerët. Dhe të paguara, si zakonisht, nga populli. /Pamfleti

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu