Shkruan Shefki Hysa
Armët më të rrezikshme në Botë, nuk janë as Bomba Atomike dhe as Rrezet Lazer, etj., janë ato që lëndojnë dhe vrasin shpirtëra njerëzorë. Pra, Njeriu është Arma Biologjike shumëformëshe më e sofistikuar kundër Njeriut, është arma që vret shpirtërat e dlirë, shpirtërat hyjnorë me shtirjet, sjelljet e kamufluara prej kameleoni, manipulatori, e lloj-lloj sjelljesh satanike.
Konkretisht: 1. Vajzat që kanë të dashur të fshehtë, të cilët u marrin jetën nën kontroll, i kërcënojnë, i shantazhojnë dhe i keqpërdorin. Fatkeqësisht këto vajza, me të tilla sekrete aventuroze, marrin në qafë veten, vrasin edhe shpirtërat e prindërve dhe të afërmve, që i duan si dritën e syve. 2. Profesionistët që shtiren sikur punojnë me materiale sekrete dhe u shesin rëndësi të tjerëve, duke i distancuar, sikur të jenë vetë Sekreti i Satanit. 3. Ata/Ato që të telefonojnë papritur, të thonë se sapo janë kthyer nga një udhëtim i largët, u erdhe ndërmend ti, së pari, dhe të telefonuan menjëherë. 4. Ata/Ato që kur u jep dhuratë të kthehen: Pse u harxhove, gjë pa rëndësi, po e marrim thjesht për hatrin tënd, meqenëse deshe vetë dhe e dhurove. 5. Ata/Ato që ta kthejnë Dashurinë me Protokoll Zyrtar. 6. Ata/Ato që bëjnë sikur të dëgjojnë, ndërkohë që merren me një punë të tyre, që bëjnë sikur u japin rëndësi rrëfimeve e fjalëve të tua, ndërkohë që mendjen e kanë te fiksimet e tyre.
Edhe kur u tregon vlerat e vërteta të Jetës, nuk të lenë radhë të flasësh dhe nuk u pushon goja duke bluar broçkulla dhe duke u përpjekur të të mbushin mendjen me lumin e fjalëve të tyre, me pseudoartin e të cicëruarit, se janë nënat dhe baballarët e dijeve. 7. Ata/Ato që mësojnë gjithçka nga përvojat dhe mësimet e tua dhe i japin shansin e të qenit Profesor i tyre, dikujt që i lavdëron për sy e faqe. Dhe tjetra: ndërkohë u duket se e kanë kokën plot me idetë e tyre dhe nuk kanë vend për idetë e tua. 8. Ata/Ato që sakrificën tënde plot përkushtim e dashuri e shohin si detyrim, ose si privilegj për faktin se u duket vetja tejet të rëndësishëm në raport me botën që i rrethon. Sillen me një nënqeshje shpërfillëse sikur Baba e Nënë, Motër e Vëlla, Shok dhe Shoqe, Mësues dhe Profesor kanë vetëm veten e tyre.
9. Ata/Ato që betohen se të duan tej mase, por punët e shumta dhe detyrimet e mëdha ndaj të tjerëve nuk u lenë kohë të të shprehin përkushtimin dhe dashurinë me vepra, ose duke harxhuar kohë me ty. 10. Ata/Ato që kujtojnë se e kanë të sigurt dashurinë tënde, nuk shpenzojnë as një minutë kohë ndaj teje, por, shanset që me të drejtë të takojnë ty, vrapojnë e i harxhojnë në kërkim të përkrahjeve të mjeshtërve të tjerë, të simpative e dashurive të tjera. 11. Ata/Ato që shanset e dhëna prej teje i keqpërdorin për të zgjeruar rrethin e të njohurve dhe miqve të tyre idiotë. 12. Ata/Ato që nuk denjojnë të prishin as planifikimet e tyre më të rëndomta dhe, megjithëse u ofrohen supriza që u ndryshojnë Jetën, ta presin shkurt: Flasim një ditë tjetër, e nesërmja është supriza vetë, e ardhmja është mrekullia vetë.