Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit e gjithë Shqipërisë, Joani, ka marrë një mesazh falenderimi nga papa Leone XIV.
“Po ju shkruaj për t’ju shprehur mirënjohjen e thellë për afërsinë tuaj vëllazërore dhe për dashurinë që treguat kur morët pjesë, bashkë me delegacionin tuaj të nderuar, në Liturgjinë solemne në Vatikan, më 18 maj. Pjesëmarrja juaj më preku thellë, sepse është shenjë treguese e vëllazërisë së krishterë dhe e unitetit të besimit”, shkruan papa Leone XIV.
Më tej, Peshkopi i Romës dhe Pasardhësi i Pjetrit, i kërkon Kryepeshkop Joanit, të vazhdojë ta mbështesë përmes lutjeve, që Perëndia i Plotfuqishëm ta forcojë për t’i shërbyer atij dhe popullit të tij të shenjtë.
“Le ta ripërtërijmë përkushtimin tonë për të nxitur unitetin ndërmjet të gjithë të krishterëve, duke iu bindur vullnetit të Zotit Jisu (Jn. 17:21), dhe të punojmë së bashku në mënyrë më të frytshme për pajtim dhe harmoni në botën tonë të përçarë”, shkruan Papa në letrën drejtuar Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.