Shkruan Zef Ndreka
Pamjet që na sjellin fotot e mëposhtme, janë prekëse dhe domethënëse: Nënë Tereza, gruaja e përvuajtur që u bë zëri i mëshirës universale, në një skenë publike në Bologna, Itali, në vitin 1987, një pritje madhështore për një shpirt të thjeshtë.
Vizita e Nënë Terezës në Bologna, ishte një moment historik edhe për Shqiptarët.
Pikërisht në Bologna, në qytetin e dijes dhe kulturës, u hapën jo vetëm dyert, por edhe zemrat për Nënën Terezë, bijën e një kombi të vogël dhe shërbëtoren e njerëzimit të plagosur. Fjalët e saj të thjeshta, si ato që lexohen në foto:
“Jezusi ka ardhur të na sjellë lajmin e mirë se Zoti na do…”, nuk janë thjesht mesazh fetar, por një thirrje për dashuri, paqe dhe dhembshuri përtej çdo feje apo kombi.
Ky takim në vitin 1987 ishte shumë më tepër sesa një ceremoni nderimi.
Në vetëvete, jo ditë ishte takimi i qytetërimit me ndërgjegjen.
Praktikisht, ky takim ishte një pranim publik i së vërtetës që ajo mishëronte, se humanizmi nuk është ideologji, por dashuri në veprim.
Nëna Terezë, ishte një ambasadore e heshtur e Shqipërisë së harruar, që ngriti zërin për të varfrit kudo në botë, ndërkohë që vetë vendi i saj ishte i mbyllur pas perdes së hekurt.
Pritja që iu bë Nënës Terezë në qytetet e Evropës dhe botës perëndimore ishte një pranverë morale në kohë të ftohta politike. Ajo nuk kërkoi as pasuri, as famë. Dhe megjithatë, ajo i bashkoi të pasurit dhe të varfrit, të krishterët dhe jo të krishterët, besimtarët dhe skeptikët, me forcën e dashurisë së pastër dhe shërbimit të heshtur.
Në Bologna, Nënë Tereza nuk u prit si një VIP, por si shenjtorja e gjallë që i kujtoi botës se lavdia nuk qëndron në lavdi, por në shërbim të tjetrit. Ishte një ditë që nuk nderoi vetëm atë, por nderoi edhe njerëzimin.