Donald Trump rrit shpërblimin për arrestimin e Presidentit Nicolás Maduro në 50 milionë dollarë

0

Uashingtoni ka ashpërsuar ndjeshëm presionin ndaj udhëheqësit venezuelian Nicolás Maduro. Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, njoftoi se autoritetet amerikane kanë sekuestruar mbi 700 milionë dollarë asete të lidhura drejtpërdrejt me presidentin e majtë të Venezuelës, të cilin SHBA-të e akuzojnë si një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë.

Në një video-mesazh të enjten, Bondi deklaroi se nën drejtimin e presidentit Donald Trump, SHBA nuk do të ndalet derisa Maduro të mbahet përgjegjës për atë që ajo i cilësoi si “krime të neveritshme”. Ajo bëri të ditur se shpërblimi për arrestimin e tij është dyfishuar në 50 milionë dollarë – një shumë që barazohet me atë të ofruar për Osama bin Laden pas sulmeve të 11 shtatorit.

Maduro dhe disa aleatë të tij u paditën që në vitin 2020 në një gjykatë federale në Manhattan për narkoterrorizëm dhe komplot për importimin e kokainës në territorin amerikan. SHBA pretendon se regjimi venezuelian ka bashkëpunuar me kartele droge për të përmbytur vendin me kokainë të përzier me fentanyl.

Pavarësisht akuzave, Maduro vazhdon të qëndrojë në pushtet, duke sfiduar presionin ndërkombëtar. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në Venezuelë u cilësuan si mashtrim nga SHBA, BE dhe disa vende të Amerikës Latine, të cilat e njohën kandidatin opozitar Edmundo González si presidentin legjitim.

Në korrik, administrata Trump raportoi se kishte arritur një marrëveshje me zyrtarë venezuelianë për lirimin e 10 amerikanëve të burgosur në Karakas, në këmbim të pranimit të emigrantëve të deportuar nga SHBA në El Salvador.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, asete të sekuestruara përfshijnë dy avionë privatë dhe afro 7 ton kokainë që thuhet se janë gjurmuar deri te Maduro. Reagimi nga Karakasi nuk ka munguar: Ministri i Jashtëm Yvan Gil e quajti shpërblimin “patetik” dhe akuzoi Bondin për një “propagandë të ashpër politike”, duke e lidhur atë me skandale të tjera të kaluara.

“Shfaqja e saj është një shaka, një shpërqendrim i dëshpëruar nga mjerimi i saj”, deklaroi Gil.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu