Shkruan Jani Malo
Përpara teje janë tre peshq. Njëri në akuarium, i gjallë. Tjetri në pjatë, i pjekur. I treti në imagjinatën tënde. Dy të parët realë. I treti jo.
Realët duket se bisedojnë. I treti hesht.
Peshku i kuq trupvogël tregon akuariumin, ku jetohet me nostalgjinë e lirisë së harruar. Ai i pjatës rrëfen thellësitë, ku vetëm harresa noton në liri.
Ndjek dialogët. Teksa sheh dy gardianë të frikshëm – thika dhe piruni – të ruajnë peshkun e pjatës, të frikësuar se mos u arratiset edhe i pjekur, je gati ta quash të zgjuar zgjedhjen që e mban gjithmonë të ngopur pendëkuqin e akuariumit. Ky duhet të ketë vërtet tru, mendon dhe e krahason me Xhorxhin, peshkun australian, që e operuan në tru për ta shpëtuar nga një tumor.
Pastaj në trurin tënd zë e merr formë peshku i tretë. Ai i imagjinatës. E përfytyron në errësirën e oqeanit, teksa kafshon broçkulla plastike, ardhur nga një botë që s’di më të hajë. As të mendojë. Përlan ç’i del përpara: Një pankartë “Save the Ocean”, një top të çarë plazhi, një libër të lagur motivues për larva që duan të bëhen peshkaqenë, broshura që flasin për dashuri dhe shpresë. Gëlltit filozofinë e botës njerëzore, të kondensuar në mbetje, pa ditur se ajo, si plastika, nuk tretet kollaj. Mbijeton.
Diku ndesh një kanoçe Red Bull. Truri i tij kafshon karremin e marketingut pashije. E përpin me idenë se shpëtimi vjen me krahë plastikë. Pushtohet nga halucinacione kozmike. Kanoçja bëhet raketë me krahë alumini të ricikluar dhe ai astronauti i parë pa skafandër. I dalin krahë. Me ëndrrën lunare fluturon drejt Hënës, ku plastika akoma nuk ka arritur.
Kupton se pendëkuqi në akuariumi nuk e kënaq më egon tënde dhe peshku në pjatës të duket me 333 hala që nuk nxirren as me pincë. Të pëlqen të besosh se imagjinata e njeriut është vendi më i pastër që ka mbetur, por sepse të dhimbset peshku i tretë, të ngjason me njeriun që u beson reklamave.
Nga libri në proces “33×333 dhe ushtrime të tjera për idiotë”.