Shkruan Myslim Murrizi
I nderuar Z. Dumani!
Fol mor burr ndonjë fjalë se ke “alarmuar” media, portale gazetarë e analistë për këtë ikje “surprizë” në USA dhe takim me Z. Brendan Hanrahan në Departament të Shtetit.
Fol se takimi është zyrtar besoj dhe herët a vonë do të merret vesh trashë e trashë se për çfarë të ka folur Z. Hanrahan.
Nuk besoj që është takim privat “shokësh” apo “miqsh” të vjetër se nuk më rezulton që Z. Hanrahan të ketë punuar në Shqipëri e në prokurori as me Rakipin as me Sollakun as me Silvia Kontin e vetingut e as me Olsin.
Nuk besoj që të jetë edhe “vizitë” si ajo që bëri 12 orë në Elbasan ish-nëndrejtor i AKSHI-t Z. Daniel Shima për “qejf” dhe nga inati atyre që e kishin mërzitur. Këtu po bëhet “nami” Altin dhe secili po thotë që të kanë thirrur për të arrestuar këdo që kanë qejf të arrestohet analistë e gazetarë të ndryshëm sipas mendjes dhe dëshirës së tyre. Madje po “qarkullojnë” fjalë që sa të kthehesh do t’i rrësosh një arrestim prap për herë të pestë Lefter Kokës, për herë të katërt Alqi Bllakos për herë të shtatë Fatos Tushës dhe do të rimarrësh në pyetje edhe autokombajner Bektashin për numrin dhe stilin e korrjeve që ka bërë në fshatin Kozar prej sa janë prishur kooperativat pra qysh në vitin kur Ben Kraja kandidoi për deputet nga BRPSH e Lisen Bashkurtit.
Fol ndonjë fjalë Altin se kokërr me kokërr edhe 3 muaj të kanë ngelur si drejtues dhe nëse të kanë dhënë shumë “porosi” kam frikë se nuk i mbaron dot të gjitha.
I nderuar Z. Dumani!
Hap sytë se ata “shejtanë” amerikanësh edhe të provokojnë ndonjëherë por merre me qetësi. Se mos të pyesin për McGonigalin, për dy sekserët e Ramës Duçkën dhe Nezen por thuaj nuk kam fare dijeni për këto dhe nuk i njoh se me shpalljet non grata dhe me “tarifat” për të mos u shpallur merrej vetë sulltani me Blinkenin e herë-herë “pyesnin” edhe disa organizata nga shoqëritë e shqyera LGBQ, SHQRCV, OJF, OJQ etj. Po të pyetën për dekorata të lutem shumë thuaj prap për Krajen, Sadushin, Dvoranin, Panden, Jar Sheshin, Cen Keten, dhe çdo ish-hetues që ka kaluar vetingun se këta ja dinë vlerën dekoratave meqë janë pak nostalgjikë për SS që merrnin në aksion.
Po pate kohë fol ndonjë fjalë të mirë për Genta Bungen, Naureda Nallbanin, për Ols Kominçin, Klotilden e ligjeve dhe të gjithë llumhanët që bënë vetingun që USA të ndërhyjë fort për t’i pozicionuar nëpër gjykata sa në apel e sa në Gjykatë të Lartë apo Kushtetuese.
Për Alex Sorrosin mos fol keq se nuk i dihet si do ta marrë kjo “luftë” dhe kam hall se të heqin dekoratën e ja japin Irena Gjokës se ajo nuk ka ceduar gramin nga porositë që i ka dhënë Lexi nëpërmjet Kimetës.
I nderuar Z. Dumani!
Do të lutesha shumë që për 15 miliardë eurot që ka vjedhur BANKERS-i me të gjithë haletë e politikës prej vitit 2004, për 70 milionë eurot e anijeve të Bangladeshit të Kimetës, për koncesionet 450 milionë euro të shëndetësisë, për rreth 1 miliard euro tendera të AKSHI-t, për 230 milionë eurot e Frides së AZHBR-së, për 100 milionë eurot e gjobës që i “fali” Anila Denaj BANKERS-it, për mbetjet toksike të Kurumit, për investitorët strategjikë, për portin e Durrësit, për ishullin e Sazanit, për përfshirjen e trafikantëve në çdo palë zgjedhje, për kontejnerët me drogë që kanë ndonjë banane brenda, për 250 personat që janë “arrestuar” nga SPAK me letra por që kanë ikur sapo janë lajmëruar që do të arrestohen, për inceneratorin e Tiranës që ka 4 vjet në duart e haleve prokurorë që nuk e hetojnë, për tenderat 20 milionë euro 1 km, për banorët e Grin Costit, të Lalzit, Kodrës së Diellit dhe pas Tegut, për tenderat me flamur të kuq të Manastirliut dhe Xhaçkës në COVID, për koordinatorin e bandave me qeverinë, për “blerjet” 6 milionë euro të satelitëve, për 4 milionë euro të kopshtit Eden në tarracë të kryeministrit e për shumë gjëra të “vogla” të këtij lloji mos fol fare se do të dukesh “keq” ose jashtë temë dhe do ta mërzitësh shumë Z. Hanrahan se këto janë “kalimtare”.
Pasi të mbarosh me Z. Hanrahan ose pasi të mbarojë ai me ty në fakt se ai të ka thirrur, po munde ma tako edhe Kimetën se deri në fund të shtatorit aty është me duket dhe thuaji dy fjalë për “tradhtinë” që i kanë bërë euroatlantikët parimeve dhe idealit të saj që opozita do të hante bar po të shkonte pas non gratës. Të kanë “tradhtuar” pothuajse të gjithë thuaj përveç Lylit dhe Alibeajt por shqiptoje mirë këtë të dytin se mos e ngatërrosh me Allajbeun ajo dhe do të habitej.
Ikën thuaj të gjithë një nga një tek non grata që bëre ti dhe nuk postojnë më në anglisht e nuk deklarojnë më që sa të jetë Berisha në PD nuk kthehen kurrë ose do të japin dorëheqjen nga politika. Tani po thonë thuaj që po iku Berisha do të ikin të gjithë ata që pinin kafe me ty në Rogner të mbyten në Lanë.
I nderuar Z. Dumani!
Thuaj Kimetës që të vetmit që nuk të kanë “tradhtuar” kurrë janë ata që ju rrësove ndonjë dekoratë dhe shumica e prokurorëve e gjyqtarëve që kaluan vetingun me porosinë tënde edhe pse ishin të dhjerë deri në fyt nga të gjitha anët.
Aaaaa se desh harrova.
Kondili nuk ta fal kurrë thuaj Kimetës dhe është “betuar” bashkë me 4-5 të tjerë në SPAK dhe katër ish-anëtarë të KLP-së që po të panë ndonjëherë në Sazan apo tek Dubai 2 në Durrës gjej vend e futu.
I nderuar Z. Dumani!
Mos harro t’i thuash Z. Hanrahan që nga viti 1990 dhe deri tani në 2025 çdo krim, vjedhje apo abuzim me pushtetin e “ka bërë” vetëm PD dhe Berisha dhe çdo arritje dhe zhvillim si kanabizimi, monopolizimi, privatizimi me 1 euro metrin, vetingizimi, patronazhimi, degjenerimi i çdo strukturë shtetërore përveç SHISH-it se nuk e ka lejuar Trendafile Hyseni, e ka bërë Rama thuaj me qeverinë e tij prandaj mos e mbani kot inat Ramën thuaj.
Kështu që me “dënimin” e Berishës thuaj kemi mbaruar punë me goditjen e korrupsionit dhe të gjithë këta të tjerët dalin të pafajshëm përveç Beqajt që nuk e lexon dot pafajsinë se nuk kishte lekë të printonte dosjen.
Hajde shpejt Altin se po ndejte edhe 2-3 ditë në USA ta zuri vendin Kraja me Beharin që të diktuan të kalosh në KLP edhe kandidatët për drejtues të BKH-së që nuk e kaluan testin e poligrafit apo testin e të vërtetës siç quhet.
I nderuar Z. Dumani!
Po të tha ndonjë gjë për SORROS-in të lutem shumë mos thuaj asgjë deri më datë 11 shtator sa të mbarojë Rama “dasmen” tek XIBRAKU ku do të kurorëzojë qeverinë e “re”.
Po të pyeti që pse e ka lënë me datë 11 shtator i thuaj në shenjë “respekti” për të kujtuar 11 shtatorin e vitit 2001 kur terroristët rrëzuan kullat binjake në New York se është dreqi vetë thuaj për të luajtur me datat në mënyrë simbolike se edhe Blinkenin me 16 tetor e ftoi për të inauguruar muzeun e Enverit meqë përkonte me ditëlindjen e tij.
Mirëardhsh Altin dhe ishalla të humb blloku i shënimeve rrugës se ndryshe e shtyu për vit të ri Rama qeverinë.


