Shkruan Zef Ndreka
Propozimi i qeverisë së re nga Edi Rama ka krijuar pritshëm debate, sepse çdo riformatim i kabinetit në një mandat të katërt të gjatë tashmë shihet si sinjal për vazhdimësi, por edhe për lëvizje taktike.
Në planin jo thjeshtë figurativ doli pritshëm nga Rama, emri “Diella”!
Bëhet fjalë për një imazh, një figurë të re, pa eksperiencë të dukshme politike apo administrative.
Kjo mund të interpretohet si një lloj mesazhi simbolik.
Rama shpesh përdor përfshirjen e emrave “jo politikë” për të dhënë idenë e freskisë, të rinisë apo të përfaqësimit gjinor e rajonal, në këtë rast, Diella nga Zadrima.
Nga ana tjetër, ka vend për tu perceptuar edhe si provokim, konkretisht një “imazh” pa portofol të dukshëm i jep opozitës shkas të flasë për marketing politik, jo për meritokraci.
Sido që të interpretohet e të komentohet, në qeverisjen në vazhdim Rama ka shumicë të mjaftueshme parlamentare, ndaj qeveria pritet të miratohet pa pengesa procedurale.
Sfidat e vërteta janë dhe mbetën ekonomia, inflacioni, kostot e energjisë dhe menaxhimi i integrimit me BE.
Në qeverinë e re, emrat e rinj nuk pritet të ndryshojnë linjën strategjike, sepse qeverisja do të mbetet e centralizuar rreth Kryeministrit.
Për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, pas dënimit të Erion Veliajt, sepse ky është konteksti, ose në rast dorëheqjeje nga ana e tij, zgjedhjet e pjesshme janë të detyrueshme. Kushtetuta dhe ligji i vetëqeverisjes vendore kërkojnë që Presidenti të shpallë datën brenda 45 ditëve nga vakanca.
Me këtë rast, shumica socialiste do kërkojë të ruajë bastionin e Tiranës, ndërsa opozita vetëm nëse arrin të unifikohet, e sheh si rast testimi para zgjedhjeve të ardhshme.
Për Edi Ramën, një fitore e Bashkisë së Tiranës, është po aq simbolike sa qeveria e re. Sepse me Kryetarin e ri, mban kryeqytetin dhe tregon se mbështetja popullore nuk është zbehur aspak.
Për tu rikthyer fillimit te komentit, pra, edhe pse emra si “Diella” duken si element shfaqjeje, thelbi i artikulimit të Ramës mbetet politik.
Ai luan të konsolidoje pushtetin, si dhe menaxhimi i një mandati të gjatë duke ruajtur Tiranën si bastion kryesor.
Promoted Content








