Kreu Politikë Në Shqipëri, 80 vite eksperimente dhe një demokraci që ende nuk po...

Në Shqipëri, 80 vite eksperimente dhe një demokraci që ende nuk po lind

0
17

Shkruan Zef Ndreka

Në 80 vitet e fundit, Shqipëria ka kaluar nëpër dy eksperimente të mëdha politike. I pari zgjati 45 vite dhe kishte një emër të përcaktuar, komunizëm. I dyti zgjat prej 35 vitesh dhe ende duket sikur nuk po gjen dot një emër të saktë.
Natyrshëm shtrojmë pyetjet:
Çfarë emri ka eksperimenti i dytë 35 vjeçarë shqiptar?
Demokraci e tranzicionit?
Demokraci hibride?
Postkomunizëm i stërzgjatur?
Apo është vazhdimësi e një kulture politike autoritare, e kamufluar me institucione pluraliste, zgjedhje dhe retorikë demokratike?
Në vitin 1990 shqiptarët besuan se po mbyllnin një epokë dhe po hapnin një tjetër. U rrëzua sistemi njëpartiak, u shpall pluralizmi politik dhe u premtua një Shqipëri europiane. Por, pas 35 vitesh, shqiptarët pyesin përsëri:
Sa larg jemi shkëputur realisht nga mentaliteti politik i së kaluarës?
U ndryshua sistemin ekonomik, por nuk u ndryshua mënyra e ushtrimit të pushtetit. U ndryshua Kushtetuta, por nuk u ndryshua kultura e bindjes ndaj kryetarit. U krijuan shumë parti, por nuk u ndërtuan dot demokraci brënda tyre. Shqiptarët mësuan të votojnë, por nuk mësuan kurrë deri më tani të kërkojnë llogari.
Pikërisht këtu qëndrojnë paradokset më të mëdha të politikës shqiptare.
Psh, Edi Rama deklaroi se pa të, Partia Socialiste është një “hale e madhe”. Pavarësisht gjuhës së përdorur, kjo deklaratë ka një domethënie politike që shkon përtej një konflikti të zakonshëm partiak, që është pranimi publik i një marrëdhënieje ku kryetari e vendos veten mbi organizatën, mbi historinë dhe mbi kontributet e saj ndër vite.
Por a është kjo vetëm një karakteristikë e PS-së?
Sigurisht që jo.
Edhe Partia Demokratike, në marrëdhënien e saj me Sali Berishën, ka përjetuar një raport të ngjashëm mes individit dhe institucionit partiak.
Në njërën anë, Rama dhe një parti që identitetin e sotëm politik e lidh fort me kryetarin e saj. Në anën tjetër, Berisha dhe një parti që prej vitesh përballet me vështirësinë e ndarjes së identitetit të vet nga figura e themeluesit dhe drejtuesit historik.
Kështu, dy partitë kryesore, pavarësisht dallimeve të tyre programore dhe historike, përballen me të njëjtin problem.
A janë partitë institucione që prodhojnë liderë, apo janë kthyer në struktura që varen nga një lider i vetëm?
Nqs kryetari është më i madh se partia, ku mbetet demokracia e brendshme?
Ku mbetet pluralizmi i mendimit?
Ku mbetet mundësia e një brezi të ri për të marrë përgjegjësi pa kërkuar më parë miratimin e liderit?
Shqipëria nuk ka vuajtur vetëm nga sistemet politike, por ka vuajtur edhe nga mungesa e një kulture të vërtetë institucionale, ku askush nuk është mbi partinë, mbi Kushtetutën dhe mbi shtetin.
Prandaj, 80 vitet nuk mund të maten vetëm me ndryshimin e flamujve, të sloganeve dhe të emrave të sistemeve. 80 vitet duhen matur me lirinë e qytetarit, pavarësinë e institucioneve, drejtësinë, mirëqenien, përgjegjshmërinë e qeverisjes dhe mundësinë reale për të ndryshuar pushtetin.
Ndoshta problemi më i madh i Shqipërisë nuk është se nuk kemi ndryshuar sisteme, por se nuk kemi arritur të ndryshojmë plotësisht kulturën e pushtetit.
Komunizmi kishte një parti dhe një udhëheqës të padiskutueshëm. Demokracia solli shumë parti, por ende përballet me kultin e kryetarit.
Dhe ky është paradoksi që duhet të na shqetësojë. Pas 80 vitesh, Shqipëria ende kërkon të kalojë nga pushteti i individit tek pushteti i institucioneve.
Ndoshta eksperimenti i tretë që i duhet Shqipërisë nuk është një sistem i ri politik, por një demokraci e vërtetë, ku as Rama, as Berisha dhe asnjë tjetër të mos jetë më i madh se institucioni që drejton.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu