Gjatë operacionit të sotëm policor të urdhëruar nga SPAK-u në Durrës në prangat e policisë ka rënë dhe shtetasi Enea Kume, që rezulton të jetë dhe vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Loer Kume.
Ky i fundit i gjendur në studion e lajmeve të “Ora News” në një intervistë ku foli për përvojën e tij të re si deputet i ri i Kuvendit të Shqipërisë dhe që vjen nga radhët e Partisë Socialiste, nuk mund të mos pyetej për këtë çështje nga moderatorja Lili Saraçi.
I gjendur i papërgatitur dhe në mungesë të plotë të informacionit mbi atë çfarë ka ndodhur, Kume u shpreh se kishte dijeni për operacionin dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie e konsideron të pafajshëm vëllanë e tij.
“U vura mbrëmë në dijeni, është arrestuar dhe është i dyshuar dhe për sa kohë nuk ka një vendim fajësie do ta konsideroj të pafajshëm deri në momentin që drejtësia të flasë.
Por gjithkush është përgjegjës për jetën dhe vendimet që merr në jetën e tij, por të mos flasim para kohe”, u shpreh deputeti Loer Kume.
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një aksion në qytetin e Durrësit. Deri më tani janë lëshuar 9 masa sigurie.
Në pranga ka rënë Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialite Loer Kume. Enea Kume akuzohet për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Gjithashtu i arrestuar është dhe Vullnet Muça, i cili është vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si ‘Rrumi i Shijakut’.
Ndërkohë vetë Aleksandër Laho është dënuar nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) me 3 vite burgim për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
Dënimi për Lahon ka zbritur në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar lidhur me tjetërsimin e 45 mijë m2 tokë te Gjiri i Lalzit.
Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit. Padia për këtë çështje, u depozitua në organin e akuzës nga Pal Seçuni, që në atë kohë ankohej për vendimet e Hipotekës së Durrësit, për tjetërsimin e pronës.








