Shkruan Zef Bushati
Qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë të dëgjojnë nga ndërkombëtarët – e në veçanti nga zonja Marta Kos – lavdërime për “punën e shkëlqyer” të Kryeministrit, ndërkohë që pohohet në të njëjtën frymë se “Shqipëria ka ende shumë për të bërë” drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kjo është një gjuhë kontradiktore, e lodhshme dhe tashmë e tejkaluar. Ajo që shqiptarët kërkojnë nga Brukseli nuk janë fjalë të zbukuruara, por vlerësime reale, të ndershme dhe të bazuara në fakte. Drejtuesit e BE-së dhe përfaqësitë e tyre në Tiranë te BE, OSBE/ ODHIR, duhet të raportojnë me sinqeritet për problemet dhe shqetësimet serioze që po kalon vendi, në vend që të bëjnë propagandë politike në krah të pushtetit.
Sot, Qeveria shqiptare po përpiqet të ndryshojë DAP, Departamentin e Administratës Publike, një institucion që me shumë mund u ngrit sipas kërkesave dhe standardeve të BE-së. Në vend që të thellojë depolitizimin, pushteti kërkon ta kthejë atë nën komandën e politikës dhe qeverisë. E njëjta frymë po ndiqet me Kodit Zgjedhor, Kodin Penal dhe me shumë ligje të tjera që duhet të ishin ura drejt Europës, por po shndërrohen në mjete kontrolli politik. Në vend që të afrohemi me ligjet dhe standardet europiane, po largohemi prej tyre çdo ditë, duke thelluar politizimin e institucioneve dhe varësinë e tyre nga qeveria e politika.
Shqiptarët nuk janë të painformuar. Ata janë të arsimuar, të përgatitur dhe të mençur – në Tiranë, në Europë, në SHBA, në universitete të njohura e serioze. Ata dinë të lexojnë çdo deklaratë, dinë të dallojnë hipokrizinë nga sinqeriteti, interesin nga parimi, dhe qëllimin nga fasada diplomatike.
Ndaj, një thirrje e qartë për të gjithë:
Mos luani me fatet e Shqiptarëve !
Mjaft i keni përdorur, mjaft i keni ndarë, mjaft i keni shtypur. Shqiptarët, kudo që jetojnë në trojet e tyre, e dinë shumë mirë kush janë miqtë e vërtetë dhe kush punon kundër tyre, nën maskën e partnerit e mikut ndërkombëtar. Sot është koha e Shqiptarëve !
Koha e premtimeve boshe ka mbaruar. Shqipëria ka nevojë për drejtësi, dinjitet dhe respekt – jo për hipokrizi diplomatike.








