Kreu Editorial Në Kelmënd, Flamuri i Pavarësisë u ngrit 1 vit e 7 muaj...

Në Kelmënd, Flamuri i Pavarësisë u ngrit 1 vit e 7 muaj e 22 ditë para se të ngrihej në Vlorë. Shqiponja kishte 1 kokë, si ajo në Amerikë

0
19

Shkruan Sokol Pepushaj

Kelmëndi ka festë.
Nderon momentin kyç në historinë e kombit shqiptar, ngritjen e Flamurit Kombëtar më 6 prill të vitit 1911 në Bratilë të Deçiqit. Se po, beteja e përgjakshme e Sukës së Mkushit më 25 prill 1911, ishte hakmarrja e perandorisë turke për ngritjen e Flamurit Kombëtar.
Në atë betejë të pabarabartë në numra e armatim, u mblodhën mbi 1000 luftëtarë vendas, ku historia u shkrua me germa të arta. Nga ana e luftëtarëve malësore humbën jetën 12 trima, e pala pushtuese mbi 150 ushtarë të vrarë dhe të plagosur la në betejë.

Përballë një ushtrie të tmerrshme, me armatim modern për kohën, me artileri e gjeneralë të famshëm në beteja, kelmendasit zgjuan edhe vëmendjen e më të fortëve të fillim-shekullit të 20-të.
Në këto çaste që shkrua,, nga biblioteka e trurit më ngacmojnë vargjet e mikut tim krijues që tashmë nuk jeton, selcianit Pjeter Mernaçaj.
Përmbi Selcë vargojnë do male/ Thikë përpjetë si mur Kalaje/ Bash njaty Kuvëndi mblodhi/ Më të mirët e këtij trodhi/ Perreth ahit shekullor/ Zbardhin tirqet bardhë si borë? Oshëtijnë malet e këndojnë gurrat/ gju më gju kuvendojnë burrat/ Le ta dijë Perandoria/ Me nën zap s’duron Shipëria.
Po, shqiptari atdhetar Ervin Gjergj Tinaj, avokat i njohur në Michigan, ka investuar një vepër arti, një monument artistik në pllakë guri, të vendosur bri rrugës në Gropa të Selcës e në kapak të balli të historisë sonë.
Aty bëjnë dritë emrat e 12 dëshmorëve që dhanë jetën për atdhe, për këtë Shqipëri ku jetojmë ne sot, Prekë Mark Rudi, Nikë Marash Ujka, Mirash Shyta-Bujaj, Gjekë Prekë Tinaj, Zekë Prekë Tinaj, Voc Gjoni, Pjetër Gjon Rapuka, Kolec Luku, Gjon Marash Këku, Dakë Nikë Bog’jani, Kolë Toma dhe Kolë Lekë Bori.
Qëndresa heroike kundër Perandorisë Osmane dhe kërkesat e malësorëve për autonomi, u shndërruan në luftë të armatosur, ku gjeneralët me akademi të pushtuesve, patën ç’të mësojnë përballë trimave që dhanë jetën për Atdheun e tyre, e sot nderohen me kaq respekt nga pasardhësit e tyre.

Një zonjë inteligjente, administratorja e njësisë Kelmënd Florida Peraj, megjithëse e re, ngjan si një zonjë shtëpie sojnike që pret historianë, shkencëtarë, studius, gazetarë e kapacitete të shumta me origjinë nga kjo trevë. Pasi ata ligjërojnë thjeshtë e me fakte historike, do duhet edhe të kalojnë një drekë të organizuar bukur, me këngë e valle, me ushqim tradicional e humor të hollë.
Rruga aty ende ka ca gurë rrebelë, e vëndalinjtë duhet të kujdesen se mos ndonjë makine nuk i binden gomat të ecë drejt, apo edhe nuk është mësuar me gurë nën rrota.
Nipi i Prek Calit, Prof. Doc. Anton Lajcaj. pedagog në një universitet të Michigan-it, mirë e bukur ngre lart moralin e maleve të malësisë, duke e ftuar diasporën të rikthehet në këto troje ku traditat ruhen e përcillen me kujdes.
Këta trima idealistë, që në themel të shtetit tonë vunë gjakun e tyre, duam të gjykojmë se po, kishin menduar edhe për Flamurin me shqiponjën me një kokë, e cila është konform shqiponjës simbol të SHBA-ve.
Sipas një shkrimi brilant të mikut tim Albert Vataj, ky flamur mund të jetë pikërisht ai që sollën në truallin mëmë, me porosi të diasporës shqiptare në SHBA, dy patriotë përmetarë, Gore Dindi dhe Toke Pollo. Ata u nisen për të luftuar së bashku në Kosovë dhe për t’u pjekur me heroin kryengritës më 1911. Asnjë nga të dy luftëtarët toskë, të cilët rrugëtuan në Kosovë e Shqipëri, pa mundur ta takonin vetë gegun e madh Ded Gjo Lulin, nuk e morën kurrë vesh se çfarë u bë me flamurin pasi ja dorëzuan një emisari të tij.
Empatia legale e një qëllimi të mirë, mbase nuk e bind dot historinë, ta themi, të dokumentuar thajë e lajë e shqep e qep, sipas masës së trup-tupanëve të ca idiotëve, pa shtyllë kurrizore e bibliotekë truri, se ka ngjarë more, malësorët ngritën Flamurin, nënshkruam memorandum pavarësie e zgjuan Botën Perëndimore mes plumbave të perandorisë turke, më të fuqishmes së kohës, shumë kohë para 28 nëntorit 1912.
Por ani, ne e dimë se ngjarjet janë si reliket, secila ka vëndin e vet në analet e historisë.
Kombet, edhe kur nuk kanë stoli, i krijojnë.
Ne kemi shumë dhe i zbehim, se sikur ca sy kanë nevojë për lente kineze, që ngjyrat t’u shfaqen siç e do paria, pa parime.
Lopës Shqipëri i vëndosin syze jeshile, që barin e thatë ta kullufitë për të njomë, pastaj kërkojnë edhe qumësht, edhe djathë, edhe ca miliona dollarë në dyshek për ditë të zezë.
Por ti lëmë mënjanë metaforat e t’ja bëjmë fora me seriozitet.
Sintaksa mbi takat e takatit të fjalës që përcjellim për lexuesit tanë, tenton të tonifikojë lëkurën me rrudha të atyre rrumpallave që rrotullojnë agrepat e orës së oborrit oriental, aspak më shumë.
Algoritmi i historisë që shkëlqen në themelet e kombit, merr spunto nga këtu, në Kelmëndin e bukur që sot feston e u thur vargje heronjve të përmasave të dëshirueshme edhe për kombet e mëdha.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu