Rakia me ujë në minierën e Priskës

0

Shkruan Kastriot Dervishi

Ndërmarrja e furnizimit të Punëtorëve në Mëzez, më 26.10.1981 denoncoi se banakieri i klubit të punëtorëve të minierës së Priskës, i cili nuk kish mbushur muajin në punë ende, i kishte hedhur ujë rakisë të llojit “Rrashbull” që tregtonte për arsye përfitimi. Konstatimin e kish bërë banakieri tjetër. Po ashtu punëtorët ankoheshin se nuk e ndjenin që rakia të kishte bërë efektin e vet për të rritur entuziazmin te ata, në mënyrë që me hov revolucionar të shkonin në punë.

Fillimisht u bllokuan në cilësinë e provës materiale 4 shishe me raki. U dërguan në laborator. Atje u konstatua se rakia nga 18 gradë kish zbritur në 15 gradë. Ndërmarrja bisedoi fillimisht me shokët e gjykatës popullore e më pas me shokët e hetuesisë së rrethit. Filloi çështja penale bazuar në nenin 75 të Kodit Penal (shitja e mallrave të cilësisë së lartë për cilësi më të ulët). Mirëpo nga hetimi rezultoi se banakieri “rridhte nga një familje punëtorësh me përbërje të mirë moralo-politike”, e për këtë arsye çështja duhej parë në një sy tjetër, me një skenar larg atij armiqësor. U vendos të thuhej banakieri e kishte derdhur pa dashje rakinë dhe nga frika e zëvendësoi me ujë.

Në këto rrethana, duke lidhur me pendesën e tij, partia vendosi që çështja të pushohej. Për këto arsye, meqë “nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore”, hetuesia vendosi pushimin e çështjes, duke rekomanduar për të akuzuarin një punë me pagë më të ulët brenda ndërmarrjes, veprim të cilin e miratoi edhe prokuroria, “për politikë penale”.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu