Shkruan Naim Flamuri
Kur një pushtet lejon grabitjen e shtetit në çdo nivel; kur lejon që një fëmijë i politikës, si Ergys Agasi, të sillet si pronar i shtetit; kur lejon që paratë e AKSHI-t të përdoren si bankomat privat për qejfet e oborrit, për aktorin kryesor dhe rrethin e tij familjar; atëherë kjo nuk është më qeverisje, është pushtim. Paratë publike qarkullojnë, ndërsa përfundojnë në banka private, në emra familjarësh, baxhanakësh e ortakësh. Shteti shndërrohet në kompani personale, buxheti në plaçkë lufte. Dhe gjithçka ndodh nën heshtjen, bekimin dhe mbrojtjen e njeriut që duhet të ishte garant i ligjit. Një grua e pacipë, e akuzuar rëndë në opinion publik për abuzime të mëdha, lejohet të veprojë pa asnjë kufi. Një kryebashkiak grabit me katër duar e katër këmbë, ndërsa ministra të tjerë, nga Ahmeti te Ilir Beqaj, janë kapituj më vete të një libri që nuk mbaron kurrë. Lista është aq e gjatë, sa lodh vetë përmendja.
E megjithatë, kryeaktori vazhdon të dalë në skenë me fjalime, me tone morale, me vetëlavdërime, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur publiku të ishte ende në errësirë. Por kjo nuk është më lojë. Kjo nuk është më teatër.
Kjo është zhveshja përfundimtare e mashtrimit. Pamja e një pushteti të kalbur, e një njeriu të konsumuar, që mundohet të aktrojë deri në fund, por që nuk mund t’i shpëtojë fatit të vet politik. Sepse historia nuk fal. Dhe as populli nuk mashtron përgjithmonë. Aktrimi vazhdoi gjatë.
Por kismet nuk pati.








