Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka rikujtuar përmes një njoftimi publik kompetencat e saj në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin dhe shkeljet në procedurat publike.
Sipas një njoftimi në rrjetet sociale, SPAK heton veprat penale që cenojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera dhe ankande publike, në rastet kur krijohen avantazhe apo privilegje të padrejta dhe kur vlera e tenderit është mbi 800 mijë lekë (ose në të njëjtën vlerë në monedhë të huaj).
Po ashtu, Prokuroria e Posaçme është kompetente për të hetuar rastet e korrupsionit të zyrtarëve publikë, kur vlera monetare e përfitimit apo dëmit kalon mbi 50 mijë lekë (ose ekuivalenti në valutë).
Në një tjetër postim, të datës 6 shkurt, SPAK-u theksoi se “vepron në mënyrë të pavarur dhe heton çështje bazuar në prova”, një mesazh që synon të nënvizojë autonominë institucionale dhe standardin ligjor mbi të cilin mbështeten hetimet.
Mesazhet publike të institucionit vijnë në një kohë kur çështjet e tenderave dhe korrupsionit në nivele të ndryshme vijojnë të jenë në qendër të debatit publik, ndërsa SPAK synon të qartësojë rolin dhe kufijtë e ndërhyrjes së tij ligjore.








