55-vjeçari nuk është hera e parë që ai ka pasur probleme, pasi disa vite më parë ai ishte përgjegjës për rrjedhjen aksidentale të dokumenteve të klasifikuara të Ministrisë së Mbrojtjes Britanike.
Një marrëdhënie personale mes ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në NATO, Angus Lapsley, 55 vjeç, dhe asistentes së tij italiane, 29-vjeçares, Francesca Cortini, ka nxitur diskutime në qarqet diplomatike të Aleancës.
Lajmi është raportuar nga media britanike.
Sipas raportimeve, Lapsley dhe Cortini janë njohur rreth 2 vjet më parë, kur ajo kryente praktikën në selinë qendrore të NATO-s. Aktualisht, çifti jeton në rezidencën zyrtare britanike në Bruksel, një ndërtesë 5-katëshe që ambasadori e përdor së bashku me dy kolegë të tjerë.
Raportimet thonë se ambasadori u largua nga një takim në selinë e NATO-s të mërkurën, pasi ai dhe Foreign Office u informuan se detajet e marrëdhënies do të bëheshin publike. Çështja, sipas të njëjtave burime, i është paraqitur edhe admiralit Sir Keith Blount, zyrtari më i lartë ushtarak britanik në NATO.

Dame Caroline Wilson, e cila pritet të marrë detyrën si ambasadore e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian, ka deklaruar se bashkëjetesa e çiftit në rezidencën zyrtare është “e papërshtatshme”.
Pas një rishikimi të brendshëm, NATO ka vlerësuar se marrëdhënia nuk shkel asnjë rregull, për sa kohë që nuk ekziston konflikt interesi. Ndryshe nga rregulloret e ushtrisë britanike, NATO nuk i konsideron shkelje disiplinore marrëdhëniet romantike brenda niveleve të larta të saj.
Ministri britanik i Mbrojtjes, John Healey, duke folur në një takim të NATO-s në Bruksel, deklaroi se “Mbretëria e Bashkuar pret standardet më të larta nga ambasadorët e saj”. Ai shtoi se fokusi i tij në takim ishte bashkëpunimi me aleatët për mbështetjen e Ukrainës.
Sipas raportimeve, Lapsley i ka njoftuar eprorët për marrëdhënien, e cila nisi pas ndarjes nga bashkëshortja e tij, Gina.
Lapsley mori detyrën e ambasadorit në NATO në prill të vitit të kaluar. Më parë, në vitin 2021, ai u përfshi në një hetim pasi harroi rreth 50 faqe dokumente të klasifikuara në një stacion autobusi në Kent.
Dokumentet përmbanin informacione mbi vendndodhjet e forcave speciale britanike në Afganistan. Ngjarja shkaktoi reagime nga zyrtarë amerikanë, të cilët shprehën shqetësim për sigurinë e trupave në Azinë Jugore.
Autoritetet pezulluan përkohësisht autorizimin e tij të sigurisë, por e rikthyen pas përfundimit të hetimit. Më pas ai mori një rol në planifikim strategjik dhe në fund pasoi Sir David Quarrey në postin e përfaqësuesit britanik në NATO.
Foreign Office deklaroi të enjten në mbrëmje se “është politikë e kahershme që të mos komentojmë çështje që lidhen me personelin.”








