Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi se qeveria e tij do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërkohë që janë nën hetim penal, duke nxitur opozitën ta akuzojë se po përpiqet të mbrojë veten dhe se po dëmton pavarësinë e gjyqësorit. Gjykata pezulloi zëvendësen e Ramës, Belinda Ballukun, në nëntor, pas ngritjes së akuzës ndaj saj nga prokurorët shqiptarë kundër korrupsionit, të njohur si SPAK, lidhur me pretendime për ndërhyrje në një tender për projekte infrastrukturore, akuza të cilat ajo i mohoi.
Çështja ka nxitur një përplasje mes SPAK-ut i cili i ka kërkuar parlamentit t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut për të lejuar arrestimin e saj dhe Edi Rama, i cili është ankuar për tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit, veçanërisht lidhur me masat e paraburgimit. Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por blloku evropian ka theksuar se vendi duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi një mandat të katërt radhazi, gëzon një shumicë të rehatshme parlamentare dhe mbetet e paqartë nëse Kuvendi do t’i heqë imunitetin Ballukut, e cila ka shërbyer gjithashtu si ministre e Infrastrukturës dhe është një aleate e ngushtë e kryeministrit. “Momentin që shkarkohet një ministër, nuk shkarkohet vetëm një person, por dëmtohet e gjithë puna e atij institucioni,”- u tha Edi Rama ligjvënësve të partisë së tij të hënën, duke njoftuar planin për ndryshimin e ligjit.
Opozita ka organizuar një seri protestash muajt e fundit në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Belinda Ballukut. Të hënën, ajo deklaroi se Rama po përpiqet të kontrollojë proceset gjyqësore në favor të tij përmes amendamenteve ligjore. “Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke hedhur në erë si pavarësinë e gjyqësorit, ashtu edhe ndarjen e pushteteve… sepse pas Ballukut dhe shkeljeve të saj qëndron Rama,” -thuhet në një deklaratë të Partisë Demokratike të Shqipërisë për “Reuters”.
Ky shkrim është pronë intelektuale e “Reuters”








