LETËR E HAPUR
ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP
Drejtuar:
Shkelqësisë së tij, Donald J. Trump
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Shkelqësisë së saj, Lisa McClain
Bashkë-Kryetare e Caucus-it të Çështjeve Shqiptare në Kongres
Përmbledhje:
Kjo letër, e paraqitur nga ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP, paralajmëron rrëshqitjen e shpejtë të Shqipërisë drejt autoritarizmit nën mandatin e katërt të Kryeministrit Edi Rama, të arritur përmes zgjedhjeve të manipuluara, blerjes së votave dhe abuzimit me pushtetin shtetëror, siç citohet në raportet e OSBE-së. Letra përshkruan korrupsionin sistemik, infiltrimin e krimit të organizuar në qeveri, kontrollin politik të gjyqësorit dhe medias, ndërhyrjet kundër SPAK-ut dhe emigrimin masiv të pothuajse gjysmës së popullsisë. Letra i bën thirrje Shteteve të Bashkuara t’i japin fund mbështetjes politike dhe kontakteve zyrtare me z. Rama, të monitorojnë dhe mbrojnë në mënyrë aktive institucionet gjyqësore të Shqipërisë dhe të ofrojnë mbështetje të qartë morale për forcat demokratike të opozitës për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe zgjedhjet e lira.
LETËR E HAPUR
Të Nderuar President Trump dhe Kongresiste McClain,
Në emër të ALBANIANS FOR TRUMP, ju shprehim respektin dhe mirënjohjen tonë për udhëheqjen tuaj dhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që keni pasur gjithmonë me komunitetin shqiptaro-amerikan.
Organizata jonë ju mbështeti me krenari në dy zgjedhjet e fundit presidenciale, duke mobilizuar votues, mbledhur fonde dhe promovuar politikat tuaja në shtete kyçe. Ne besojmë fuqimisht se angazhimi dhe kontributet e komunitetit tonë patën një ndikim domethënës në fitoren tuaj historike. Shqiptaro-amerikanët mbeten thellësisht besnikë ndaj vlerave konservatore amerikane dhe vizionit tuaj për udhëheqje të fortë, sovranitet kombëtar dhe liri.
Po ju shkruajmë për të sjellë në vëmendjen tuaj situatën e rëndë dhe në përkeqësim në Shqipëri nën regjimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë trembëdhjetë viteve të fundit, Shqipëria ka përjetuar një erozion të thellë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe besimit publik në institucionet shtetërore. Z. Rama po shërben tani mandatin e tij të katërt radhazi; një dominim politik i arritur në kushte që vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë konsideruar vazhdimisht thellësisht problematike.
Shqipëria sot perceptohet gjerësisht si një narkoshtet. Rrjetet e trafikut të drogës operojnë me pothuajse pandëshkueshmëri të plotë dhe ka prova të konsiderueshme, si dhe bindje të përhapur publike, se zyrtarë të lartë qeveritarë mbajnë lidhje të ngushta me grupe të krimit të organizuar. Raporte dhe hetime të shumta ndërkombëtare e kanë identifikuar Shqipërinë si një qendër të rëndësishme për trafikun e kokainës dhe kanabisit drejt Evropës. Shteti i së drejtës është dobësuar rëndë. Zbatimi i ligjit dhe gjyqësori janë të politizuar, dhe drejtësia zbatohet në mënyrë selektive. Korrupsioni është bërë sistemik në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa denoncuesit dhe kundërshtarët politikë përballen me burgosje, intimidime, ndjekje penale ose heshtje të detyruar.
Dhjetëra zyrtarë të lartë nga qeveria dhe partia e z. Rama janë arrestuar, akuzuar ose vënë nën hetim për korrupsion. Këta përfshijnë ish-ministra, ministra në detyrë, deputetë, drejtues agjencish, ish-Zëvendëskryeministrin, Zëvendëskryeministren aktuale dhe Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Kjo valë e paprecedentë skandalesh tregon se korrupsioni nuk është i izoluar, por i rrënjosur thellë në nivelet më të larta të shtetit shqiptar.
Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë as të lira dhe as të ndershme. Sipas shtatë raporteve evropiane të monitorimit, përfshirë OSBE dhe ODIHR, zgjedhjet e fundit janë shoqëruar me intimidim votuesish, blerje votash, manipulim të listave zgjedhore, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion mbi punonjësit e sektorit publik, duke minuar mundësitë e barabarta për partitë opozitare. Gjithashtu raportohet se nuk ekziston një ndarje e qartë midis qeverisë dhe Partisë Socialiste në pushtet, me institucionet shtetërore që përdoren si mjete politike për të ruajtur pushtetin, duke i privuar shqiptarët nga zgjedhje të vërteta demokratike.
Peizazhi mediatik në Shqipëri është thellësisht i korruptuar. Shumica e televizioneve dhe mediave kryesore kontrollohen nga oligarkë të afërt me qeverinë. Gazetarët e pavarur përballen me presion, padi gjyqësore dhe hakmarrje ekonomike. Si rezultat, publiku dezinformohet sistematikisht dhe zërat kritikë margjinalizohen.
Si pasojë e këtij realiteti, pothuajse gjysma e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit. Ky eksod masiv është një tregues i qartë i dëshpërimit, mungesës së mundësive dhe humbjes së shpresës mes qytetarëve. Familjet po ndahen dhe e ardhmja e vendit po zbehet.
Kryeministri Rama është përfshirë në skandale serioze, përfshirë pretendime për lidhje me kartele droge si Sinaloa dhe përfshirjen e tij në çështjen McGonigal në Shtetet e Bashkuara, çka ka dëmtuar më tej reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe ka ngritur shqetësime për ndikim të huaj dhe korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit.
Z. Rama njihet gjithashtu për lidhjet e tij të ngushta personale dhe politike me George Soros dhe organizatat e financuara prej tij, të cilat kanë ushtruar ndikim të konsiderueshëm në reformën në drejtësi, mjedisin mediatik dhe sektorin e shoqërisë civile në Shqipëri. Shumë shqiptarë besojnë se këto lidhje e kanë mbrojtur qeverinë e tij nga vëzhgimi ndërkombëtar, pavarësisht provave në rritje për korrupsion dhe regres demokratik.
Në të njëjtën kohë, z. Rama ka bërë deklarata publike armiqësore dhe mosrespektuese ndaj jush, President Trump, duke ju quajtur “rrezik për botën, nëse zgjidheshit”, dhe duke paraqitur udhëheqjen tuaj si kërcënim për stabilitetin global dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ai gjithashtu ju ka ironizuar publikisht në takime ndërkombëtare, përfshirë gjatë një takimi me Presidentin Macron, sjellje që ka fyer shumë shqiptarë që vlerësojnë miqësinë historike mes dy vendeve tona.
Zoti President, shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë, dhe shqiptaro-amerikanët kanë qenë përkrahës të palëkundur të Partisë Republikane dhe të udhëheqjes suaj.
Angazhimi juaj parimor mund të bëjë një ndryshim domethënës në rikthimin e shpresës, integritetit dhe shtetit të së drejtës në atdheun tonë.
Me espekt të thellë, ju kërkojmë juve dhe Departamentit të Shtetit të SHBA-së të mbështesni dhe monitoroni në mënyrë aktive sistemin gjyqësor të Shqipërisë, veçanërisht Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), për të siguruar funksionimin e saj të pavarur dhe pa presion politik. Ndërhyrjet e Kryeministrit Rama, përmes sulmeve publike, manovrave legjislative dhe presionit ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, kanë krijuar një klimë intimidimi që kërcënon integritetin e hetimeve në vazhdim. Mbikëqyrja dhe mbështetja morale amerikane janë thelbësore për të sjellë para drejtësisë zyrtarët e lartë të korruptuar dhe për të parandaluar pengesat politike që minojnë shtetin e së drejtës.
Ju bëjmë thirrje të pezulloni çdo kontakt zyrtar dhe çdo formë mbështetjeje politike për Kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij. Ai i paraqet këto kontakte si dëshmi të miratimit amerikan të sundimit të tij, duke mashtruar popullin shqiptar dhe legjitimuar një regjim gjithnjë e më autoritar dhe të korruptuar.
Një distancim i qartë nga ana e Shteteve të Bashkuara do të dërgonte një mesazh të fuqishëm në mbështetje të demokracisë, llogaridhënies dhe vullnetit të vërtetë të popullit shqiptar.
Njëkohësisht, kërkojmë që Kongresi i Shteteve të Bashkuara të ofrojë mbështetje të qartë morale dhe politike për forcat demokratike të opozitës në Shqipëri, të cilat përballen me presion të madh, intimidim dhe bllokadë mediatike. Një mbështetje e tillë do t’u jepte shpresë miliona shqiptarëve që ende besojnë në zgjedhje të lira, shtetin e së drejtës dhe një të ardhme demokratike perëndimore për vendin e tyre.
Ju falënderojmë për kohën, udhëheqjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm ndaj lirisë dhe demokracisë.
Me respekt,
ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP – Michigan
Kontakt: Valentin Lumaj
Email: Allgoods@me.com












