Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur t’i kthejë pronarit automjetin që dyshohej se ishte përdorur në rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe.
Mjeti me targë “AC 121 JJ”, i sekuestruar me urdhër të SPAK në dhjetor 2025, i është kthyer shtetasit Endrit Merkaj, pasi nga verifikimet proceduriale dhe këqyrja e kryer nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk janë konstatuar të dhëna me interes për vijimin e hetimeve.
Sipas SPAK, automjeti dyshohej se ishte përdorur më 12 gusht 2025 nga disa persona për rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe. Ky i fundit ka pretenduar se është dërguar në fshatin Gracen, ku është vënë nën presion psikologjik për të tërhequr ankesa që kishte depozituar në Komisionin e Prokurimeve Publike lidhur me disa tendera.
Makina ishte sekuestruar në kuadër të hetimeve për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.








