Nga besëlidhja tek shteti, 582 vjet flakë dhe llogaridhënie

0

Shkruan Naim Flamuri

Kombi nuk bahet në rehati. Kombi nuk rritet në komoditet, as në kolltuqe të buta e duar të papastra. Kombi bahet në flakë. Në flakën e maleve që digjeshin, në gjakun që lagte gurin, në betimin që nuk thyhej as kur shpata varej mbi kokë. 582 vjet më parë në Lezhë nuk pati banket, pati vendim për mbijetesë. Princat shqiptarë nuk u mblodhën për lavdi, por për shpëtim. Zgjodhën Gjergj Kastriotin Skënderbeun, jo sepse ishte më i zëshmi, por sepse ishte më i forti në karakter. Sepse kombi nuk bahet në rehati.

Skënderbeu u rrit në oborrin e armikut. U detyrua të ndërrojë fe, të luftojë për Perandorinë Osmane, të mbajë armën kundër atyre që i ngjanin. Por zemrën nuk ia pushtuan dot. Dhe kur u kthye, nuk u kthye për luks. Nuk u kthye për fron të artë. U kthye për flakë. U kthye për sakrificë. Sepse kombi nuk bahet në rehati. Për 25 vjet u dogjën kështjella, u derdh gjak, u mbushën varre. Por u mbajt besa. U mbajt fjala. U mbajt qëndresa. Dhe pikërisht aty, në atë ferr të përditshëm, u farkëtua identiteti ynë. Jo në tavolina të mbushura, jo në pazare politike, jo në mendjemadhësi të rreme. Në flakë.
Sot armiku nuk vjen me jatagan. Vjen me korrupsion. Vjen me hajni. Vjen me buzëqeshje të rreme e xhepa të fryrë. Vjen me premtime që shuhen sapo fitohet pushteti. Dhe ne rrezikojmë të harrojmë një të vërtetë të thjeshtë: kombi nuk bahet në rehati. Nuk mbahet me retorikë patriotike një herë në vit. Nuk mbahet me flamuj në festa e me heshtje përballë padrejtësisë. Nuk mbahet me mendje madhështi të rreme e kotsi boshe. Mbahet me drejtësi. Mbahet me ligj. Mbahet me ndëshkim për hajnat. Mbahet me llogaridhënie pa përjashtime. Nëse shteti bëhet pronë private, nëse drejtësia blihet, nëse i riu largohet jo nga frika e luftës por nga mungesa e shpresës, atëherë jemi duke e fikur vetë flakën që na bëri komb. 582 vjet pas Besëlidhjes së Lezhës, pyetja nuk është a kemi histori. Pyetja është: a kemi karakter? A jemi të gatshëm të djegim korrupsionin me ndershmëri? A jemi të gatshëm të mbrojmë ligjin si dikur u mbrojtën kështjellat? Sepse kombi nuk bahet në rehati. Bahet në sakrificë. Bahet në flakë. Dhe mbahet me drejtësi. Historia nuk na kërkon duartrokitje. Na kërkon përgjegjësi.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu