Kur padija “pushton” ekranin!

0

Shkruan Zef Ndreka

Dibrabët dhe mirditorët janë të pa besë!
– Kështu deklaroi Selin në Big Brother dy ditë më parë.
Aspak realisht nuk përbën problem një fjali e thënë keq online, sesa kombinimi i rrezikshëm i padijes individuale dhe amplifikimit publik.
Në lidhje me deklaratën, etiketimi i krahinave si “të pabesa” është një stereotip i vjetruar, i padrejtë dhe përçarës, pa asnjë bazë reale për ta marrë si të vërtetë, dhe aq më pak për ta përgjithësuar.
Historia e Mirditës, e Dibrës apo e çdo krahine tjetër shqiptare është shumë më e pasur dhe komplekse sesa këto etiketime primitive.
Figura si Gjergj Kastrioti, Preng Doçi, Nënë Tereza, Gjergj Fishta, Anton Çeta apo Aleksandër Moisiu janë prova e kundërt e çdo paragjykimi krahinor, të cilët janë figura që kanë ndërtuar ura, jo përçarje.
Shtrohet pyetja:
Pse po merret kaq seriozisht një deklaratë e tillë?
Sepse problemin këtu e merr roli i medias dhe formati i emisionit Big Brother VIP Albania, i cili nuk funksionon mbi bazën e dijes apo përgjegjësisë publike, por kryesore për të është vëmendja dhe reagimi. Sa më provokuese të jetë një deklaratë, aq më shumë klikime, debate dhe shikueshmëri do të ketë. Kështu pra edhe një mendim i paditur në atë skenë, shndërrohet menjëherë në “ngjarje”!
Pikërisht, këtu lind paradoksi, ku një individ pa peshë reale në debat publik, papritmas na shfaqet si i rëndësishëm sepse ka mikrofonin e tv në vesh. Dhe një deklaratë e pavlerë, menjëherë bëhet temë kombëtare sepse shpërndahet masivisht. Këtu, problemi nuk është vetëm “vajza nga Çamëria” që në thelb është thjesht një individ me nivelin e vet të formimit krejtësisht të ulët, por produksioni që e lejon dhe e amplifikon pa asnjë filtër. Dhe publiku reagon pastaj emocionalisht duke e kthyer në një çështje të madhe. Arësyeja kryesore sigurisht është mungesa e standardit në atë televizion.
Pikërisht për këtë, nuk i duhet dhënë serioziteti një deklarate nga zhurma që krijon, por nga pesha që ka. Për mendimin tim, kjo deklaratë nuk ka asnjë peshë, përveç banalizimit të debatit publik, ku më e drejta do të ishte të mos merrej seriozisht deklarata, por të merret seriozisht fenomeni i cili tregon se sa lehtë mund të përhapen përçarjet kur padija pushton ekranin.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu