Kreu Editorial Tirana rritet e ne pakësohemi!

Tirana rritet e ne pakësohemi!

0

Shkruan Kim Mehmeti

Pas rënies së socializmit, Tirana ishte shumë më e vogël se sot. Por në ato vite Shqipëria ishte shumë më e “madhe”, sepse kishte më shumë shqiptarë. Asokohe në Tiranë i takoja edhe miqtë e mi, tregimtarët e shkëlqyeshëm Lazër Stani dhe Faruk Myrtaj, të cilët sot nuk janë aty. Ata e braktisën mëmëdheun pa i pyetur njeri pse e ndienin ngushtë veten në Tiranë, sikur prozatorë të tillë t’i lindte shqiptaria me qindra çdo vit.
Kryeqendra e sotme e mëmëdheut tonë është shumë më e zhurmshme se ajo e pas rënies së përmendores së Xhaxhit Enver, se ajo që fliste e mendonte vetëm shqip.
Dhe kushdo që do të shkruajë për Tiranën e Piktorit, do të duhet ta bëjë këtë me hundë të mbyllur, sepse ajo qelbet nga llumi i mbetur pas pastrimit të parave të pista.
Tirana e dikurshme rrëfente për rrugëtimin e shqiptarisë, për faktin se koha nuk është përcaktim i çastit kur kanë ndodhur ngjarjet, por është korniza që përcakton hapësirën e asaj që kemi qenë dikur.
Kur ecje dikur nëpër udhët e Tiranës, shihje njerëz, dëgjoje çfarë thoshin ata dhe shpresoje se një ditë do të mund ta thoje të vërtetën e tyre nëpërmjet vetes.
E sot, kur shëtit nëpër bulevardet e zhurmshme të kryeqendrës së shqiptarisë, ke ndjenjën se po dëgjon heshtjen që dhemb.
Ku ta dish, mbase zhurma e Tiranës që bëhet gjithnjë e më e madhe më së miri e shpërfaq fytyrën e Shqipërisë që ‘zvogëlohet’ si dhe mallin e saj për ata që e braktisën vendlindjen, mall i shtresuar në të gjithë ne, si të ishte llum pas vërshimeve, e nëpër shtresat e të cilit nuk mund të ecësh pa u zhytur, pa u baltosur nga dhembja.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu