Kreu i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se institucioni që ai drejton ka propozuar datën 7 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se kërkesa e KQZ-së është që zgjedhjet të mbahen sa më vonë brenda afateve ligjore, për të siguruar përgatitje sa më të plota të procesit zgjedhor.
“Sa i përket datës, kemi kërkuar që të kemi sa më shumë kohë, na duhen përgatitje sepse nuk është proces i lehtë. I mbetet presidentes. Gjykata Kushtetuese e ka caktuar 31 majin ose 7 qershorin. Për ne është 7 qershori, tash i mbetet presidentes me vendos”, ka deklaruar ai.
Sipas Radoniqit, organizimi i zgjedhjeve kërkon përgatitje të konsiderueshme teknike dhe logjistike, ndaj data më e vonshme shihet si opsioni më i favorshëm për KQZ-në.
Lidhur me buxhetin, ai bëri të ditur se ende nuk është diskutuar zyrtarisht brenda institucionit, por pritet që shpenzimet të jenë të ngjashme me ato të zgjedhjeve të kaluara, rreth 10 milionë euro.
7 qershori konsiderohet si afati i fundit i mundshëm për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret nga presidentja në detyrë.
KQZ propozon 7 qershorin për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë
Promoted Content








