Kreu Analizë Heshtja e një Presidenti të Republikës, në momente kur qytetarët kërkojnë të...

Heshtja e një Presidenti të Republikës, në momente kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen, flet po aq fort sa edhe fjalët.”

0
21

Shkruan Zef Bushati

“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti në një takim të veçantë përfaqësuesit e Këshillave Ndërfetarë të Europës, të cilët ndodhen në Tiranë. Ky është lajmi që pushtoi sot mediat. Por për mijëra qytetarë shqiptarë, ky nuk është lajmi që ata prisnin nga Presidenti i Republikës. Lajmi i vërtetë do të ishte që, në ditën e 52-të të protestës qytetare, Presidenti i Republikës të hapte dyert e Institucionit të Presidencës për një përfaqësi të protestuesve. T’i dëgjonte. Të njihte nga afër shqetësimet e tyre. Të përcillte mesazhin se Presidenti është President i të gjithë shqiptarëve dhe se askush nuk është i padukshëm për institucionin që simbolizon unitetin kombëtar. Por kjo nuk ka ndodhur.
Pesëdhjetë e dy ditë protestë. Pesëdhjetë e dy ditë zëra qytetarësh. Pesëdhjetë e dy ditë kërkesa publike… Dhe nga Presidenca… heshtje.
Një heshtje që lë vend për pyetje. Një heshtje që ushqen dyshime. Një heshtje që nuk i shërben besimit të qytetarëve tek institucionet.
Presidenti i Republikës nuk qeveris, por ai ka një autoritet moral dhe kushtetues që i jep mundësinë të dëgjojë, të komunikojë dhe të inkurajojë dialogun institucional. Pikërisht në momente kur shoqëria është e përçarë, prania e tij bëhet më e nevojshme se kurrë. Prandaj pyetja nuk është vetëm politike. Është edhe institucionale. Është edhe qytetare.
Pse Presidenti i Republikës nuk pret një përfaqësi të protestuesve?
Në vend të qindra komenteve, interpretimeve dhe hamendësimeve, do të mjaftonte një përgjigje e vetme, e qartë dhe publike nga vetë Presidenti. Sepse heshtja e një Presidenti, në momente kur qytetarët kërkojnë të dëgjohen, flet po aq fort sa fjalët.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu