Shkruan Zef Ndreka
Janë shumë pyetje që natyrshëm drejtohen sot rreth situatës politike që po kalon vendi ynë, kur kanë kaluar plot 56 ditë protesta në Tiranë kundër qeverisë dhe opozitës.
Protestat e gjata po lenë gjurmë?
Sa do të vazhdojnë ato?
A mund të ndalen dhe sa gjasa ka të jenë të manipuluara nga qarqe të ndryshme apo nga opozita, megjithse qytetarët thërrasin në kor: Rama në burg-Berisha në burg!
A do të ketë patur ndonjë marrëveshje të fshehtë për të mbajtur sistemin dypartiak në Shqipëri, ndërmjet dy liderëve kryesorë sot?
A do ketë dorëheqje të Ramës apo zgjedhje të parakoheshme?
Të gjitha këto pyetjet janë thellësisht politike dhe saktësisht askush nuk mund tu japë përgjigje të sigurta.
Megjithatë, mbi to, mund të bëjmë një analizë mbi bazën e dinamikave të derisotme, që zakonisht shoqërojnë krizat politike.
Protestat e gjata, sa mund të zgjasin?
Historia politike në Shqipëri dhe në vende të tjera, tregon se protestat zgjasin për aq kohë sa arrijnë të ruajnë tre elementë që janë pjesëmarrja, motivimi dhe organizimi i protestave. Në qoftë se protestës do ti humbasë njëri prej këtyreelementëve, ajo fillon të zbehet. Por, në qoftë se ndodh një ngjarje e rëndësishme politike, ekonomike ose institucionale që rrit më tej pakënaqësitë, protestat mund të marrin sërish vrull.
Prandaj, është e mundur si vazhdimi, ashtu edhe rënia graduale e protestave dhe kjo do të varet më shumë nga zhvillimet politike sesa nga kalimi i kohës.
A mund të jenë protesta të manipuluara?
Në pothuajse çdo protestë masive përfshihen aktorë të ndryshëm me interesa të ndryshme. E kemi theksuar në shumë analiza e komente këtë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo protestues është i manipuluar, pasi ekziston një pakënaqësi reale qytetare, ndërsa partitë politike, grupet e interesit apo individë të ndryshëm përpiqen ta orientojnë atë në favor të objektivave të tyre.
Në protesta dëgjohen njëkohësisht thirrje si “Rama në burg” dhe “Berisha në burg” dhe kjo mund të interpretohet si shenjë se një pjesë e protestuesve shprehin mosbesim ndaj të gjithë klasës politike tradicionale, pa mbështetur asnjërën palë.
A mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për ruajtjen e sistemit dypartiak?
Kjo është një variant apo një tezë që është diskutuar shpesh në politikën shqiptare, pavarësisht se deri më tani nuk ka prova publike që të vërtetojnë ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë.
Por nga ana tjetër, është e vërtetë se sistemet politike kanë prirje të favorizojnë forcat e mëdha dhe se partitë kryesore shpesh mbrojnë interesat e tyre institucionale. Dhe kjo nuk është pa tjetër rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë, por mund të jetë pasojë e mënyrës se si funksionon sistemi politik dhe zgjedhor në Shqipëri.
A mund të japë dorëheqje Edi Rama?
Një dorëheqje e kryeministrit zakonisht ndodh vetëm kur bashkohen disa faktorë të fortë si
humbja e shumicës parlamentare, kur ka
krizë të thellë brenda partisë në pushtet, kur ka një presion shumë të madh institucional ose ndërkombëtar, kur protestat paralizojnë realisht funksionimin e shtetit.
Por në mungesë të këtyre faktorëve, gjasat për një dorëheqje të Edi Ramës mbeten të ulëta.
A mund të ketë zgjedhje të parakohshme?
Ashtu si dorëheqja edhe zgjedhjet e parakoheshme mbeten e mundur vetëm nëse krijohet një krizë politike ose parlamentare që nuk mund të zgjidhet ndryshe. Perderisa qeveria ruan ende shumicën dhe institucionet vazhdojnë të funksionojnë, zgjedhjet e parakohshme nuk janë skenari më i mundshëm.
Çfarë mund të ndodhë realisht?
Vështirë të parashikohet saktësisht, por skenarët më të mundshëm janë do të mund ti permbledhim keshtu:
– protestat do të vazhdojnë edhe për një periudhë, por me intensitet që do të luhatet.
– qeveria nuk jep dorëheqje sepse ruan shumicën parlamentare.
– opozita do të përpiqet ta shfrytëzojë politikisht pakënaqësinë qytetare edhe pse protesta nuk është organizuar prej saj.
– do të ketë përpjekje për uljen e tensioneve përmes dialogut politik ose disa ndryshimeve të kufizuara në qeverisje, pa ndryshuar pushtetin.
Gjithsesi, pakënaqësia qytetare është faktor që nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se në sistemet parlamentare, protestat, sado të gjata, nuk sjellin automatikisht dorëheqjen e qeverisë apo zgjedhje të parakohshme, sepse zhvillimet varen nga raportet e forcave në Kuvend, nga dinamika brenda partive politike dhe nga zhvillimet institucionale.
Për këto arsye, çdo parashikim për një dorëheqje të afërt, për marrëveshje të fshehta apo zgjedhje të parakohshme, janë vetëm hipoteza, jo fakte…







