Kreu Hapësirë Kur flamuri shqiptar bëhet i “papranueshëm” edhe në varrimin e një nëne...

Kur flamuri shqiptar bëhet i “papranueshëm” edhe në varrimin e një nëne shqiptare, diçka shumë e rëndë ka ndodhur!

0
1

Shkruan Zef Ndreka

Po qarkullon një video nga Maqedonia e Veriut, ku, sipas pamjeve të publikuara, disa hoxhallarë refuzojnë ritin përcjellës për në banesën e fundit, për shkak të pranisë së flamurit kombëtar shqiptar.
Nisur nga pamjet autentike dhe ngjarjet, atëherë jemi përpara një akti thellësisht tronditës dhe të papranueshëm.
Flamuri shqiptar nuk është flamur i një partie, i një qeverie apo i një ideologjie. Është simbol i identitetit dhe i historisë së shqiptarëve. Ai ka qenë pranë shqiptarëve në ditët e gëzimit, të luftës, të sakrificës dhe të dhimbjes.
Të kërkosh ta largosh nga arkivoli i një nëne shqiptare, në çastin kur ajo përcillet për herë të fundit, nuk është thjesht një gjest i pakuptimtë. Kjo është bërë për arsye fetare dhe është një mesazh që prek dinjitetin e gjithë familjes dhe komunitetit shqiptar.
Askush nuk duhet të detyrohet të zgjedhë mes fesë dhe kombit. Shqiptarët kanë besime të ndryshme, por historia jonë na ka mësuar se mbi këto dallime qëndron një identitet i përbashkët kombëtar.
Pikërisht këtu lind pyetja:
Si mund të shkojë deri aty fanatizmi fetar sa të shohë në flamurin kombëtar një pengesë për ti dhënë lamtumirën e fundit një nëne shqiptare?
Kjo nuk është më çështje e një flamuri.
Është çështje e dinjitetit njerëzor, e bashkëjetesës dhe e identitetit kombëtar.
Prandaj duhet të flasim qartë. Jo kundër myslimanëve, jo kundër katolikëve, jo kundër besimit fetar. Por kundër çdo forme ekstremizmi që kërkon ta vendosë fenë mbi kombin dhe ta kthejë shqiptarin kundër shqiptarit.
Kur një hoxhë, një prift apo kushdo tjetër përdor autoritetin fetar për të përbuzur simbolet kombëtare, shoqëria nuk duhet të heshtë.
Është momenti që institucionet fetare të distancohen qartë nga akte të tilla, që qeveritë dhe drejtuesit politikë të mos bëjnë sikur nuk shohin dhe që shoqëria shqiptare të reagojë me dinjitet.
Sepse flamuri ynë nuk është kundër fesë.
Dhe feja nuk ka pse të jetë kundër flamurit.
Nëse dikush përpiqet të na bindë se duhet të turpërohemi nga flamuri ynë, atëherë problemi nuk është flamuri.
Problemi është mentaliteti që po kërkon ta shqyejë identitetin shqiptar nga brenda.
Dhe ndaj kësaj duhet të kemi vetëm një përgjigje…

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu