Kreu Lajm Arrestohet ish shefi i inteligjencës gjermane, dyshohet për spiunazh dhe tradhti shtetërore

Arrestohet ish shefi i inteligjencës gjermane, dyshohet për spiunazh dhe tradhti shtetërore

0
20

August Hanning, ish drejtuesi i shërbimit gjerman të inteligjencës së jashtme BND, është arrestuar nën dyshimet për spiunazh dhe tradhti shtetërore. Hetuesit dyshojnë se ai siguronte informacione tepër sekrete nga një ish vartës dhe mund t’i ketë përdorur në marrëdhënie me aktorë të huaj.
Një nga njerëzit që për vite drejtoi shërbimin e inteligjencës së jashtme të Gjermanisë është arrestuar tashmë nën dyshimin se kishte akses të paligjshëm në sekretet e vetë këtij shërbimi.

August Hanning, ish president i Bundesnachrichtendienst, BND, është arrestuar mëngjesin e së martës nga autoritetet gjermane, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime për akuza që përfshijnë spiunazhin, sigurimin e sekreteve shtetërore dhe tentativën për tradhti shtetërore.

Hanning ka drejtuar BND nga viti 1998 deri në vitin 2005 dhe më pas ka shërbyer si sekretar shteti në Ministrinë e Brendshme gjermane.

Bashkë me të është arrestuar edhe Manfred D., një ish zyrtar i lartë i BND dhe ish drejtues i zyrës së Hanning, i cili ka punuar në shërbimin gjerman të inteligjencës deri në pranverën e këtij viti.

Sipas raportimeve të WDR, NDR dhe Süddeutsche Zeitung, hetuesit dyshojnë se Manfred D. i ka siguruar Hanning informacione tepër sekrete nga brenda BND edhe shumë vite pasi ky i fundit ishte larguar nga drejtimi i shërbimit.

Dyshimet janë se materiali është dhënë kundrejt pagesës dhe se Hanning mund ta ketë përdorur informacionin gjatë aktivitetit të tij si konsulent.

Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që ish drejtuesi i BND të ketë përgatitur, të paktën në një rast, një analizë sigurie për një shërbim të huaj inteligjence duke përdorur informacionet që kishte siguruar.

Sipas raportimeve në mediat gjermane, çështja nuk lidhet me Rusinë. Autoritetet nuk kanë bërë ende publik se për cilin shtet apo shërbim të huaj bëhet fjalë.

Përmasat e dosjes bëhen edhe më të mëdha nga sasia e informacionit që dyshohet se ka dalë nga BND.

Sipas raportimeve, rreth 2 mijë dokumente mund të jenë kaluar nga ish zyrtari i BND te Hanning. Mes tyre dyshohet se kishte materiale të përgatitura për takimet e nivelit të lartë të sigurisë në Kancelarinë gjermane.

Dokumentet përfshinin informacione sensitive për çështje si programi bërthamor iranian dhe ushtria ruse. Në materialet e sekuestruara dyshohet se gjendeshin edhe informacione të ardhura nga shërbimet partnere të inteligjencës.

Hetimi nisi pasi autoritetet gjermane gjetën materiale të klasifikuara gjatë një kontrolli të kryer më herët në ambientet e Hanning për një çështje tjetër penale.

Dosja më pas i kaloi autoriteteve federale dhe në maj të këtij viti Prokuroria Federale nisi një hetim të fshehtë ndaj Hanning dhe personit që dyshohet se e furnizonte me informacion.

August Hanning dhe ish vartësi i tij mbeten të dyshuar dhe akuzat ndaj tyre duhet të provohen përpara drejtësisë.

Nëse dyshimet konfirmohen, çështja do të përbënte një nga rastet më të rënda të rrjedhjes së informacionit të klasifikuar nga nivelet e larta të inteligjencës gjermane.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu