Protestat e vrullshme disa-ditore të studentëve e kanë dërguar kryeministrin Edi Rama pranë një momenti “shfazimi” logjik e institucional. Në një takim të zhvilluar mëngjesin e kësaj të Hëne me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, ai drejtoi një kritikë të ashpër, për tërësisht anti-kushtetuese ndaj gjyqtarëve.
“Gjykata i lëshon (protestuesit) në mënyrë të papërgjegjshme, duke thënë s’ka prova dhe i kërkojnë policisë që kur lufton atje me një kriminel që po i nxjerr sytë policit t’i bëjë dhe fotografi, i kërkon policisë imazhe kur kamerat janë ndërkohë vandalizuar”, deklaroi kryeministri.
Në thelb, Rama deklaroi se gjykatat duhet të vendosin në burg të gjithë protestuesit e arrestuar nga policia, edhe pse ndaj tyre nuk ka prova.
Gjatë një jave protestash masive, efektivët e Policisë së Shtetit kanë kryer arrestime të shumta në radhët e të rinjve protestues. Pjesa më e madhe e tyre janë paraqitur në gjykatë dhe ndaj tyre është caktuar masa e “detyrimit për paraqitje”, një masë krahasimisht e lehtë përballë veprave penale që u atribuon policia dhe i ka referuar në Prokurori.
Prokurorët, e më tej gjykata, në shumicën e rasteve, nuk kanë pasur në dispozicion prova të mjaftueshme për të mbajtur studentët protestues në burg. Kjo situatë duket se nuk i ka pëlqyer aspak kryeministrit Edi Rama, i cili ka menduar frikësimin si një mjet për të parandaluar protestat e shumta që kërkojnë dorëheqjen e tij.
Masa e arrestit në burg është më ekstremja që parashikon legjislacioni penal në Shqipëri. Që një person të vendoset nën këtë masë do të duhet detyrimisht që të ketë kryer vepra të rënda penale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që faktet penale të lidhin dëmin me individin që i ka kryer.
Burimet e provave për të fajësuar një apo shumë individë për kryerjen e veprave penale janë të larmishme, pa u kufizuar vetëm në pamjet e kamerave të sigurisë. Masiviteti i njerëzve dhe situatave në protesta, natyrisht, e bën të vështirë identifikimin e plotë të personave që mund të përfshihen në vepra penale dhe zbulimimin e provave që mund t’i inkriminojnë.
Por, kjo vështirë praktike, nuk mund të legjitimojë kurrësesi praktikën e arrestimit të të rinjve pa prova, siç sugjeroi së fundmi kryeministri Edi Rama.







