Shkruan Zef Ndreka
Me qëndrimet e fundit, Berisha duket sikur po u dërgon ndërkombëtarëve një mesazh të tërthortë që:
“Ramën nuk mund ta largoni pa mua.”
Në fakt edhe Rama ka interes ta ushqejë këtë ide se përballë tij nuk ka një alternativë të re politike apo qytetare, por vetëm Berishën.
Kështu, të dy përpiqen të dëshmojnë se Rama plus Berisha janë më shumë se protesta, më shumë se revolta qytetare dhe më shumë se çdo përpjekje për të dalë nga sistemi politik i 35 viteve.
Nuk është e nevojshme të ketë një marrëveshje të shkruar apo një pakt të firmosur. Mjafton një bashkëjetesë interesash, jo krejtësisht e heshtur dhe gjithnjë e më e lexueshme.Njëri ka nevojë për tjetrin që të justifikojë vetveten.
Rama e përdor Berishën për tu thënë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se
alternativa ndaj meje është Berisha.
Ndërsa Berisha e përdor Ramën për të thënë se
pa mua nuk rrëzohet ky pushtet!
Kështu, sa më shumë forcohet njëri si kërcënim, aq më i domosdoshëm përpiqet të bëhet tjetri.
Natyrshëm vjen një pyetje që prej vitesh qarkullon në opinionin publik:
sa i ndan realisht lufta politike dhe sa i bashkon sistemi ekonomik që është ngritur gjatë sundimit të tyre?
Kullat, koncesionet, karburantet, bregdeti, oligarkët, lejet, tenderët dhe pasuritë e mëdha janë fusha ku politika shqiptare duhet të kërkojë transparencë, emra, dokumente dhe pronarë përfitues, përpara se dyshimet të shpallen si fakte.
Marrëveshjet më të forta politike nuk janë gjithmonë ato që firmosen në tavolinë.
Ndonjëherë është ajo ku kundërshtarët kanë nevojë për njëri-tjetrin që sistemi të mbijetojë.
Pikërisht këtu mund të jetë drama e protestës së sotme, ku qytetarët dolën kundër sistemit, ndërsa dy protagonistët kryesorë të sistemit, përpiqen secili ta përdorë protestën për të provuar se Shqipëria ende nuk mund të bëjë pa ta.







