Shkruan Ola Xama
4 vjet më parë qeveria socialiste i shpalli luftë kumarit. Vendimi drastik, i kontestuar nga shumë aktorë të tregut dhe përfitues indirekt të këtij biznesi i dhuroi pikë në sytë e publikut mazhorancës socialiste.
Vetëm 1 kazino mbeti hapur, e cila kishte paguar 10 milion euro për të marrë licencën kombëtare: Regency Casino.
Gjatë diskutimeve në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë u tha se kontrata nuk mund të prishej pasi rrezikohej një gjyq arbitrazhi me faturë të kripur për buxhetin, e se në vitin 2020 kur liçencës t’i skadonte afati, nuk do të rinovohej më.
Por deklaratat politike ndryshojnë nga ato që u lanë të shkruara në ligjin për lojrat e fatit, dhe ndonjëherë edhe ligji ndryshon sipas prioriteve që ka qeveria. Kështu, pa përfunduar mirë afati për licencën e Regency Casino, në maj të vitit 2020, Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit licenson Grand Casino Tirana, të vendosur pranë hotelit Maritim Plaza.
Ligji për lojrat e fatit lejon vendosjen e kazinove në hotele me 5 yje dhe me emër marke ndërkombëtare, por siç rezulton në letra, pronarë të kazinosë janë aktorë të vjetër të tregut të kumarit : APEX, Sig Holding, WSI dhe Green Line, dhe jo ata që kanë hotel Plazën.
Ministria e Financave hapi një tjetër garë në tetor për dhënien e licencës “kazino kombëtare” të cilën e fitoi pjesëmarrësi i vetëm: “Regency Casino”.
Ligji për lojrat e fatit ndalon dhënien e licencave të kazinove kompanive që kanë pronarë të dënuar penalisht në fushën e evazionit fiskal dhe krimit ekonomik, por edhe pse me ortak Albano Alikon, të dënuar për krijimin e skemës së mashtrimit financiar me tollonat e karburantit “Gulf”, Agjencia e Lojrave të Fatit dha licencën.
Disa muaj më vonë, në gropën e parkut të liqenit, dhe brenda një ndërtese nën rikonstruksion të ish-Hotel Sheraton, hap dyert Royal Eagle Casino. Edhe këtë kazino e kontrollojnë aktorë të vjetër të tregut të lidhur me kazinonë në Hotel Plaza. Por ndryshe nga rasti i Hotel Plazës, i cili ishte një hotel i përfunduar dhe që kishte marrë një markë ndërkombëtare (edhe pse kazinoja është vendosur në garazhdin e hotelit), hoteli Mak Albania ende nuk ka të vendosur markën e një brandi ndërkombëtar siç e kërkon ligji, por ka vetëm një marrëveshje të nënshkruar me Hyatt, që do të marrë këtë emër pas përfundimit të punimeve
Një tjetër kazino është hapur përballë ish-Sheratonit. Arena Casino rezulton në pronësi të një firme çeke dhe AlbStar që ka ndërtuar stadiumin Arena. Dyert e saj u hapën para disa muajsh, pa nisur puna e hotelit Marriott.
Një vit më parë një tjetër kazino lulëzoi në qytetin e Vlorës, e vendosur pranë hotelit Marina Bay.
Kazinoja është në pronësi të kompanisë Valona Konstruksion, me aksioner Besnik Lulon dhe ENTRETENIMIENTO PALERMO, SA DE C.W, mëma e të cilës ka selinë në Sinaloa Meksikë. Përfaqësues ligjor i kompanisë meksikane është Luftar Hysa.
Sot një media në Meksikë publikoi skemën se si grupi i shqiptarëve Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa pastron para nga Meksika në lojrat e fatit të Shqipëri.
Në themelimin e kapitalit me vlerë 1.2 miliard lekësh ( afro 12 milion USD) të kazinosë në Shqipëri rezultojnë transferta të shumta të bëra nga Luftra Hysa. Këto transferta madje janë bërë përmes sistemit bankar, ku një prej bankave është me kapital të Bashkimit Europian.
Asnjë pyetje nuk është ngritur se si kanë ardhur pagesat, apo të aktivizohet sistemi alert dhe rasti t’i shkojë për hetim Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por Agjencia e Mbikëqyrjes të Lojrave të Fatit nuk sheh aftësinë e aktiveve të firmës Valona Konstruksion dhe se ku i ka gjetur 12 milion USD që nuk justifikohen nga bilancet e saj, as të shohë historikun penal të përfituesve të licencës e të bashkëpunojë me organet hetimore dhe as riskun që kanë kompani me origjinë vendet që kanë aktivitet të lartë në fushën e narkotikëve, por miraton licencën.
Ndalimi i lojrave të fatit solli një bllokim të madh në larjen e parave të pista në Shqipëri dhe orientoi futjen e tyre në ndërtim, kryesisht pallate dhe hotele në fushën e turizmit.
Nuk ka nevojë për zbulim të madh, mjafton të shihet e origjina e disa kompanive që kanë marrë statusin strategjik, dhe shumë biznese të tyre do të lidhen me lojrat e fatit dhe shtete të Amerikës Latine. Tani mesa duket, shitjet në ndërtim nuk kanë më rendimentin e mëparshëm dhe interesi i krimit për pastrimin në këtë sektor ka rënë. Ndaj po kërkojnë rikthimin e basteve, jo se u intereson shumë sporti.