Shkruan Zef Ndreka
Lezha mbetet një fidanishte e rëndësishme e piktorëve shqiptarë. Këtë e dëshmoi edhe një herë ekspozita e sotme e piktorëve lezhjanë, e çelur në Pallatin e Kulturës, në përkujtim të 50-vjetorit të ekspozitës së parë të arteve pamore në këtë qytet.

Ishte nëntori i vitit 1976. Megjithëse Lezha nuk kishte një traditë të konsoliduar në fushën e arteve pamore, pikërisht atëherë nisi një rrugëtim i ri artistik. Në ekspozitën e parë morën pjesë piktorët Nikolin Ivanaj, Martin Luca, Agim Peraj, Agustin Shyti, Pashk Përvathi, Gjergj Lesi dhe Ndue Perdoda.
Ishin artistë të rinj, por të bashkuar nga pasioni për artin, dëshira për të krijuar dhe bindja se Lezha meritonte të kishte identitetin e saj edhe në këtë fushë të kulturës.
Ajo që nisi si një ëndërr e disa artistëve u shndërrua, me kalimin e viteve, në një traditë të mirëfilltë. Një rrugëtim me përpjekje, kërkime krijuese, përkushtim dhe arritje profesionale, që sot përbën një trashëgimi të çmuar kulturore për Lezhën dhe më gjerë.
Pesëdhjetë vite nuk janë shumë në jetën kulturore të një qyteti, por janë një kohë e mjaftueshme për të dëshmuar se talenti, pasioni dhe këmbëngulja mund të krijojnë traditë edhe aty ku ajo mungon.
Sot, kjo traditë ka emra, vepra, histori dhe breza artistësh. Ajo nuk i përket vetëm atyre që e nisën në vitin 1976, por edhe të gjithë atyre që e pasuruan dhe do ta përcjellin më tej.
Redon Gjoka, Ymer Metaliaj, Mikel Smaçi, Bibe Frrokaj, Gjergj Lesaj, Ardjan Mashi, Gjovalin Dona, Kelvin Pjetri, Mateo Bardhanjori, Gjovani Marku, Silva Sianani, Leonard Lesaj etj janë emrat e rinj që ekspozuan sot.
Pra, ëndrra e vitit 1976 nuk mbeti thjesht një kujtim. Ajo u bë traditë, identitet dhe pasuri kulturore e Lezhës.
Gëzuar 50-vjetorin e këtij rrugëtimi artistik!







