Shqiptarë, rrëzojeni Edi Ramën!

0

Shkruan Berat Buzhala

Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë, që, kur të vdesë, – i urojmë jetë të gjatë – gazetari që do ta ketë për nder që të shkruajë ndonjë fjalë për jetën dhe veprën e tij, shpresën e vetme për të gjetur fjalë të mira do ta ketë për punën e tij si kryetar i Tiranës. Nekrologjia do të mund të përfundonte kështu: Në periudhën 2013 – 2021, ai bëri dëm, ndoshta duke pasur qëllime të mira.

Edi Rama aq shumë është plakur në dy vitet e fundit, sa të duket pothuajse edhe e pandershme që t’ia kushtosh një shkrim të plotë. Nuk po flas për plakjen e njeriut Edi, por të karakterit Edi.

Kush do të thoshte?

Rama vazhdimisht ka qenë karakter interesant për t’u marrë me të, për t’u shtyrë me të, për të polemizuar me të. Në fakt, e vetmja gjë interesante te politikani Rama ishte karakteri i tij e edhe ai u shua pa e mbërritur as ditën e zgjedhjeve.

Ai duket i lodhur, i mërzitur, jokreativ, i përsëritur. Duket sikur një film që e kemi parë e i cili, le të themi, premierën e ka pasur deri diku interesante, kurse herët e tjera ka qenë monoton. Nuk më bëjnë më për të qeshur polemikat e tij në Facebook me lexuesit, nuk ma marrin vëmendjen as fyerjet që ua bën gazetarëve në studio televizive, as rrobat e tij, as mjekra e tij.

Asgjë.

Më duket sikur një fëmijë, që, për ta marrë vëmendjen, të cilën e ka të domosdoshme, fillon dhe bën gjëra banale, në praninë e mysafirëve.

Edi Rama, për fatin e tij të keq, është duke menduar që viti 2021 është viti 2013, kur ai ishte zgjedhur kryeministër i vendit, përveç tjerash, sepse edhe po bënte show. Interneti ishte habitati i tij në atë kohë. Kundërshtarët e tij politikë dukeshin si alienë nëpër rrjete sociale, aty ku Edi po shkëlqente. Ku ai po futej “live”, ku po polemizonte, ku po fliste me shqiptarët pa praninë e gazetarëve.

Një pjesë e të rinjve, edhe të lodhur nga qeverisja PD-LSI, por edhe duke qenë të joshur nga një pjesë e personalitetit të Ramës, kishte rënë në kurthin e tij. Që nga atëherë, Rama nuk është ndalur së shkunduri të njëjtën pemë. Vazhdimisht, prej saj ka rënë ndonjë kokërr molle, por jo edhe në vitin 2021. Nuk ka çfarë të lëshojë më, përveç gjetheve.

Është shumë vështirë të flasësh mirë për politikanin Rama. Edi Rama është kryeministri i vetëm në botë, që, kur të vdesë, – i urojmë jetë të gjatë – gazetari që do ta ketë për nder që të shkruajë ndonjë fjalë për jetën dhe veprën e tij, shpresën e vetme për të gjetur fjalë të mira do ta ketë për punën e tij si kryetar i Tiranës. Nekrologjia do të mund të përfundonte kështu: Në periudhën 2013 – 2021, ai bëri dëm, ndoshta duke pasur qëllime të mira.

Të thuash që në këto 8 vjet nuk ka bërë asgjë që meriton të përmendet, ndoshta është nihilizëm i tepruar, mirëpo që me të vërtetë ishin tetë vite të humbura për shqiptarët, as kjo nuk mund të kontestohet. Rama vazhdon me muzikën e njëjtë. Vazhdon t’u turret njerëzve në Facebook, në Twitter, në rrugë, në ara, në ceremoni, në studio televizive. Kudo që gjen një shqiptar që nuk është me të, fillon ta tallë, ndërsa nëse rastësisht afër tij nuk është askush që e kundërshton, atëherë vazhdon t’i tallë edhe ata që e përkrahin. Impulset e tij të para janë ngacmimi, tallja dhe fyerja.

Me të vërtetë, çfarë ka ndodhur në Shqipëri në këto tetë vite? Dua të them, çfarë ka ndodhur për t’u mbajtur në mend edhe pas dhjetë vjetësh? Berisha e bëri “Rrugën e Kombit”. E futi Shqipërinë në NATO. Ua hoqi vizat shqiptarëve. E priti për vizitë në Shqipëri presidentin e ShBA’së, George Bush, i cili e zgjodhi Tiranën për të treguar se Kosova do të bëhet e pavarur. Këto katër gjëra nuk harrohen. Nuk harrohen, sepse falë “Rrugës së Kombit”, një komb i ndarë u bë bashkë, po njihemi më mirë me njëri-tjetrin, po shkojmë te njëri-tjetri e po e ndihmojmë njëri-tjetrin. Ah, harrova. Rama e futi një tra në mes të asaj rruge, sa për të mos thënë që nuk bëri asgjë. Kjo është një mundësi e mirë për ta kujtuar atë, sa herë që t’i paguajmë ato 5 euro.

Nëse rastësisht ka tensione në rajon tonë, prapë na bie ndër mend fakti që Shqipëria është në NATO, që është një shtyllë e fuqishme e sigurisë kombëtare, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën. Nëse rusët po bëjnë bazë të tyre në Nish, ne e kemi NATO’n në Kukës.

Po ashtu, qeverisjen e Berishës e kujtojmë edhe sa herë e kalojmë kufirin për në BE, pa pasur nevojë për viza. Po ta pyesësh Berishën, ai do të numërojë edhe qindra punë të tjera, por këto kanë mbetur  nga ato që i rezistojnë kohës. Pastaj, edhe Berisha dhe qeverisja e tij i kishte edhe njëqind faqe të zeza, për të cilat u ndëshkua.

Po Rama çfarë bëri?

Nuk është kjo një pyetje ironike. Unë vërtet e kam vështirë që ta kuptoj këtë. Në këto tetë vite, më shumë është dukur sikur Rama i kishte vënë vetes qëllim që t’i bëjë shqiptarët njerëz, sesa t’i qeverisë ata. Më shumë dukej si kujdestar i klasës, sesa si kryeministër i vendit. Më shumë ka folur për sjellje, për mosdije, për padisiplinë, për mungesë të kulturës, sesa për projekte dhe punë të qeverisë. Dukej sikur Rama po i zgjedhte shqiptarët dhe jo anasjelltas. Dukej sikur Rama kishte alternativë për të zgjedhur një popull tjetër për ta qeverisur, por shqiptarët nuk kishin alternativë për të zgjedhur një kryeministër tjetër. Rama më shumë ka pyetur, sesa është pyetur. Më shumë ka kërkuar përgjigje, sesa ka dhënë përgjigje. Çdo pyetjeje i është përgjigjur me pyetje: Po ti kush je? Po ti çfarë bën? Po ti çfarë di? Po ti ku e ke mësuar?

Rama, si kryeministër, Shqipërinë e shndërroi në projekt personal dhe privat. Për këto tetë vite, në mendjen e tij, Shqipëria nuk ka pasur nevojë për institucione të tjera, nuk ka pasur nevojë për kryetar bashkish e as për ministra e ambasadorë, as për gazetarë e shkrimtarë. Rama është i bindur që të gjitha këto funksione shoqërore ekzistojnë vetëm për ta nxirë punën e tij të mirë, të drejtë dhe të ndershme.

Po çfarë bëri tjetër Rama?

E bëri Shqipërinë vilajet të Turqisë. Nëse Berisha e priste në Tiranë Bushin, Rama i bën masazh Erdoganit, sa herë që ky i fundit ka nevojë për t’u qetësuar. Po po, mu aty, në Dolmabahçe. Ky që me shqiptarët është arrogant, i pacipë, i pasjellshëm, kur takon njerëz më të fuqishëm se vetja, shndërrohet në një kotele. A i keni parë fotografitë e tij me Erdoganin? Duket sikur ndien keqardhje që është më i gjatë se ai. Po të kishte mundësi, do t’i shkurtonte këmbët për disa centimetra. Për këto tetë vite, kjo ishte politika e tij e jashtme: Tiranë – Stamboll dhe anasjelltas. Një kohë ishte edhe Beogradi, por në mënyrë të palavdishme iku si temë.

Po ndonjë gjë tjetër, çfarë bëri Rama?

Shokët e tij i bëri më të pasur, kurse shqiptarët i bëri edhe më të varfër. I pasuroi tre-katër veta, i varfëroi tre-katër milionë veta.

Po tjetër, tjetër, çfarë bëri Rama?

“Screen time”-in në telefon e kishte shumë të lartë, ndoshta më të lartin ndër shqiptarë.

Vetëm një njeri do t’i gëzohej fitores së Edi Ramës më shumë sesa vetë Edi Rama. Ai është Albin Kurti. Ky i fundit do të mbetej, ose do të shitej, si shpresa e vetme për shqiptarët e dëshpëruar. Do të shkonte në Shqipëri për ta luftuar “klasën e vjetër”. Në rastin konkret, Edi Rama do të ishte Hashim Thaçi, Ilir Meta do të ishte Ramush Haradinaj, kurse Lul Basha do të ishte Enver Hoxhaj.

Promoted Content

PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu