Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar mbështetjen nga përfaqësuesit e 16 partive të vogla jashtëparlamentare, për organizimin e protestave në vend.
Takimi i Berishës me krerët e partive jashtëparlamentare u mbajt ditën e djeshme në selinë blu, ku ai u shpreh ndër të tjera se shqiptarët duhet të nxiten të protestojnë përpara se të braktisin vendin për të marrë rrugën e emigracionit.
Sipas Berishës, Edi Rama nuk mund të organizojë kurrë zgjedhje të lira.
Fjala e Berishës:
Shqiptarët po presin protesta. Ose do të dalin të protestojnë në bulevarde ose do ikin në malet e Francës. Shqiptarët mezi po presin protesta edhe për faktin e çmimeve, taksave, padrejtësive e vjedhjeve që u janë bërë”, ishte mesazhi i përfaqësuesve të partive aleate.
Po bëj gjithçka dhe do të bëj gjithçka për primaret, vetëm për shkak të rikthimit të votës në shoqëri. Për ta kthyer votën mes nesh. As ne, asnjë komb, pa votë nuk ka të ardhme. Rama na e mori votën, na e plaçkiti para syve tanë, na vuri patronazhistët para syve tanë, na vrau para syve tanë, na i bëri të gjitha. Ne duhej të ishim në rrugë dhe vetëm në rrugë. Dhe kjo për mua është akti më i rëndë i yni si opozitë. Kjo sepse në një farë mënyre edhe në këtë forcë politike, vota humbi peshën e saj, filloi manipulimi i saj, humbi shenjtërinë e saj. Po, në një farë mënyre disa nga fenomenet më negative të shkatërrimtarit të votës, filluan të infektojnë edhe PD-në dhe votën brenda saj. Kjo ishte një dramë e madhe për vendin. Që nga shtatori i vitit të kaluar e deri më sot, jemi përpjekur me gjithë fuqinë të rikthejmë votën brenda nesh, sepse vota po ikën nga Shqipëria.
Edi Rama e ndaloi votën në PS, por një parti që ndalon votën brenda mund të jetë terroriste, fashiste, staliniste mund të jetë çdo lloj, por vetëm demokratike nuk është. Edi Rama ka ndaluar votën. Këta njerëz të cilët pranojnë të funksionojnë pa votë brenda, këta janë të frikshëm, sepse janë të aftë të zbatojnë çdo urdhër, nuk kanë normë. Mund të bëjnë tortura, si në kohën e Enver Hoxhës”.
Jam absolutisht me ju që ky zgjedhje të lira nuk bën kurrë. Ky për karrigen e tij është i aftë të bëjë gjithçka.
Përveç kësaj, të themi të vërtetën mbështetja e Sorosit është jashtëzakonisht e çmuar për të. Për fat të keq nuk është realizuar se çfarë armiku i egër është Soros për forcat e qendrës së djathtë dhe konservatore. Në histori kush kurrë nuk ka shpenzuar 18 miliardë euro në Europë për të mbështetur këto forca siç ka shpenzuar Soros. 18 miliardë dhe të themi të vërtetën, Edi Rama për një arsye apo për një tjetër është një nga më të preferuarit e tij. Ne do të qëndrojmë sepse ne nuk mund të dorëzohemi, as të kapitullojmë para kësaj situate, por të punojmë me çdo shqiptar për të ndërgjegjësuar rrezikun e madh që na vjen nga ekstremi i majtë që mbështet nga Sorosi, dhe Edi Rama i cili zbaton ato politika.
Konsideroj shumë të rëndësishme, një bashkërendim të plotë të të gjitha përpjekjeve tona në çdo aspekt.
Në përzgjedhjen e kandidatëve. Në përpjekjet për një proces zgjedhor integral. Në përpjekje për të hapur rrugën për referendume. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të hapur rrugën e referendumeve. Duhet të bëjmë një kauzë shumë të madhe bashkërisht. Keni shumë të drejtë për reformën territoriale, por kjo është një gjë në letër sepse Edi Rama nuk pranon asnjë. Edi Rama kishte bërë një pazar me Lulzim Bashën, më voto vettingun se po të shtoj 4-6 bashki. Dhe tani që Basha nuk ka asgjë në dorë, ju garantoj se nuk e lëviz numrin e bashkive. Nuk e lëviz dhe e vërteta është se janë disa ndryshime të thella që ne duhet të synojmë për t’i hapur rrugën referendumit, bashkërisht. Me referendume ne mund të sjellim ato reforma që janë shpëtimtare për Shqipërinë. Përndryshe vështirësitë janë shumë të mëdha.